Saha i bën thirrje Barcolas: Mos shko te Liverpooli
F.B/RTKLive
Ish-sulmuesi i Manchester United dhe Francës, Louis Saha, ka deklaruar se nuk dëshiron ta shohë Bradley Barcolan te Liverpooli, pavarësisht se e konsideron anësorin francez si një përforcim ideal për klubin anglez.
Liverpooli po kërkon të forcojë repartin ofensiv pas largimit të Mohamed Salah këtë verë, ndërsa Barcola është një nga objektivat kryesorë të klubit.
"The Reds" tashmë kanë transferuar talentin spanjoll Victor Munoz, por trajneri Andoni Iraola ka pranuar se skuadrës i duhen ende përforcime për të luftuar për titull.
Sipas medieve të huaja, Barcola i ka bërë të ditur Paris Saint-Germainit dëshirën për t'u larguar gjatë këtij afati kalimtar, çka ka shtuar interesimin e Liverpoolit për transferimin e tij.
Megjithatë, Louis Saha shpreson që bashkëkombësi i tij të mos përfundojë në "Anfield".
"Bradley Barcola te Liverpooli? Nuk dua që kjo të ndodhë, sepse ai do të ishte një forcë e madhe në futbollin anglez. Barcola mund t'u shkaktojë shumë probleme kundërshtarëve, pasi është shumë inteligjent dhe plot energji. Driblon shumë mirë dhe bashkëpunon shkëlqyeshëm me shokët e skuadrës", u shpreh Saha.
Ai vlerësoi edhe paraqitjet e 22-vjeçarit me Francën në Kupën e Botës, duke theksuar se ndikoi në lojë edhe kur aktivizohej nga stoli.
Saha kujtoi gjithashtu se Barcola u kritikua kur u largua nga Lyoni për te PSG, por më pas arriti të fitonte dy herë radhazi Ligën e Kampionëve.
"Në epokën pas Mohamed Salah, ai do të ishte një transferim i shkëlqyer për Liverpoolin, por nuk dua ta shoh me fanellën e kuqe të gabuar", shtoi ish-sulmuesi francez, duke iu referuar rivalitetit mes Liverpoolit dhe Manchester United.
Barcola zhvilloi një sezon të shkëlqyer 2025/26, duke regjistruar 21 gola dhe 19 asistime në të gjitha garat, çka e ka bërë një nga futbollistët më të kërkuar në tregun e transferimeve. Liverpooli pritet të intensifikojë përpjekjet për transferimin e tij gjatë javëve në vijim.























