Matthaus: Bayern nuk e shet Olisen për asnjë çmim
F.B/RTKLive
Legjenda e Bayern Munichut, Lothar Matthaus, ka hedhur poshtë spekulimet për një largim të mundshëm të Michael Olises gjatë kësaj vere, duke theksuar se kampionët e Gjermanisë nuk kanë ndërmend të negociojnë shitjen e sulmuesit francez.
24-vjeçari ka qenë një nga futbollistët më të spikatur të Bayernit që nga transferimi i tij në verën e vitit 2024. Gjatë sezonit 2025/26 ai regjistroi 25 gola dhe 28 asistime në 57 ndeshje në të gjitha garat, duke u shndërruar në një nga lojtarët kyç të skuadrës bavareze.
Gjatë Kupës së Botës 2026 u raportua se Real Madridi po monitoronte nga afër situatën e Olises, ndërsa vetë lojtari kishte kërkuar një takim me drejtuesit e Bayernit për të diskutuar të ardhmen e tij.
Megjithatë, Matthaus këmbëngul se klubi gjerman nuk e konsideron shitjen e francezit dhe se prioritet mbetet vazhdimi i bashkëpunimit.
“Personalisht, e kuptoj pse një futbollist do të dëshironte të luante për Real Madridin. Por Bayerni nuk do të ulet as në tavolinën e negociatave. Të gjitha këto spekulime vetëm sa i bëjnë drejtuesit e klubit të buzëqeshin”, tha ai.
Matthaus shtoi se, sipas informacioneve që ka, Bayern është i përqendruar te rinovimi i kontratës së Olises.
“Nuk kam dëgjuar asgjë konkrete nga burime në Spanjë apo Francë, por e di shumë mirë se çfarë mendon Bayerni për Olisen. Klubi nuk po mendon ta shesë. Përkundrazi, po punon për rinovimin e kontratës dhe rritjen e pagës së tij”, theksoi ai.
Sipas raportimeve, Bayern Munich është i gatshëm t'ia rrisë pagën bazë Olises nga 8 milionë euro në 14 milionë euro në sezon, me synimin për ta blinduar një nga yjet më të rëndësishëm të skuadrës dhe për t'i dhënë fund zërave për një transferim te Real Madridi.























