Aksion shtetëror kundër vilave ilegale|VIDEO
Edona Podvorica/RTK
Buldozerët hynë këtë mëngjes në zonën e liqenit të Ujmanit. Brenda pak orësh, nisi rrënimi i 11 objekteve të ndërtuara pa leje në pronën e `Ibër-Lepencit`, në një nga zonat më vitale të shtetit të Kosovës.
Të gjitha këto objekte të ndërtuara pa leje në pronën e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike "Ibër-Lepenc" u rrënuan nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me asistimin e Policisë së Kosovës.
Sipas zyrtarëve të "Ibër-Lepencit", objektet janë ndërtuar ilegalisht në pronë publike dhe se aksioni ka për qëllim rikthimin e saj në administrim të ndërmarrjes.
“Në vazhdën e aksionit për lirimin e pronave të uzurpuara të NPH ‘Ibër-Lepenc’ Sh.A., në bashkëpunim me MMPHI-në dhe MPB-në, ka filluar rrënimi i 11 vilave buzë liqenit të Ujmanit. Paralajmërimet janë dërguar më 3 korrik, por uzurpuesit nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim. Andaj, sot ka filluar aksioni për pastrimin e terrenit dhe kthimin e pronës te pronari legjitim, NPH `Ibër-Lepenc` Sh.A”, ka thënë Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i "Ibër-Lepencit".
Në mesin e objekteve që u rrënuan janë edhe dy vila që i përkasin Ivan Zaporozhacit dhe vëllait të tij Sergejit. Ivan Zaporozhac është kryesues i Asamblesë Komunale të Mitrovicës së Veriut dhe nënkryetar i Listës Serbe.
Policia e Kosovës njoftoi se aksioni ka nisur rreth orës shtatë të mëngjesit në zonën e njohur si "Plazhi i Shqiptarëve", në komunën e Zubin Potokut, dhe se gjithçka është zhvilluar pa incidente.
Për aksionin reagoi edhe e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila e cilësoi rrënimin si të paligjshëm, duke pretenduar se është kryer pa vendim gjyqësor dhe se pronarët janë njoftuar vetëm përmes njoftimeve të vendosura në objekte.
Liqeni i Ujmanit konsiderohet një nga asetet më të rëndësishme strategjike të vendit. Ai furnizon me ujë të pijshëm një pjesë të madhe të Kosovës, përdoret për prodhimin e energjisë elektrike dhe për ujitjen e tokave bujqësore.























