Maqedonci: Mbrojtja e informacionit të klasifikuar element i sigurisë
A.Bela/RTKLive
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar (AMIK), Emin Hoxhaj, nënshkruajtën Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe AMIK-ut, e cila synon forcimin e bashkëpunimit institucional në mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe ngritjen e kapaciteteve në fushën e sigurisë kombëtare.
"Kjo marrëveshje krijon një kornizë të qëndrueshme për koordinim, shkëmbim të praktikave profesionale, organizim të trajnimeve të përbashkëta, mbështetje teknike e profesionale, si dhe bashkëpunim në trajtimin e çështjeve që lidhen me sigurinë e informacionit të klasifikuar. Mbrojtja e informacionit të klasifikuar është një element thelbësor i sigurisë kombëtare. Përmes këtij partneriteti ndërinstitucional, forcojmë mekanizmat që garantojnë mbrojtjen e interesave shtetërore dhe rrisim gatishmërinë e institucioneve tona për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë", ka shkruar ai në "facebook".























