Hajdari: Takimet politike nuk duhet të shmangin përgjegjësinë
Valbona Thaçi / RTKLive
Në emisionin politik “Prime” në RTK, analistja Fatime Hajdari ka vlerësuar se zhvillimet politike pas zgjedhjeve dhe takimet mes subjekteve politike nuk duhet të shërbejnë si mënyrë për t’iu shmangur përgjegjësisë para qytetarëve.
Duke folur për procesin e krijimit të institucioneve të reja, Hajdari tha se kursi më i butë i partive gjatë fushatës zgjedhore ishte një qasje për të fituar mbështetje nga qytetarët.
“Ne kemi thënë edhe këtu në fushatë që krejt kjo gjuhë pak më e butë edhe kursi që nuk kemi vija të kuqe për asnjë subjekt politik përgjatë fushatës, po përdoret si taktikë për të marrë votë nga qytetarët, sepse është kuptuar që qytetari ka tendencë për t’i mbështetur ata që janë më bashkëpunues”, tha Hajdari.
Sipas saj, pas zgjedhjeve partitë politike duhet të tregojnë më shumë gatishmëri për përgjegjësi dhe bashkëpunim.
“Risia do të ishte sikur zoti Hamza nga ai takim do të dilte dhe të thoshte që PDK-ja është e vendosur të jetë pjesë e qeverisjes, i mbetet kryeministrit Kurti për të na ofruar kushtet që do t’i pranojë PDK-ja ose jo. Kjo do të ishte risia dhe kjo do të ishte pastaj tendenca për ta nxjerrë vendin nga kolapsi”, u shpreh ajo.
Hajdari tha se pas tri proceseve zgjedhore pa një zgjidhje institucionale, përgjegjësia nuk mund t’i faturohet vetëm një subjekti politik.
“Unë konsideroj që në tri procese zgjedhore, nëse nuk kemi arritur me i dhënë vendit zgjidhje, kjo flet për një kolaps të krizës politike. Dhe dështimi nuk do t’i faturohet një subjekti politik”, tha ajo.
Duke komentuar kërkesat e subjekteve politike për mbështetje në krijimin e institucioneve, Hajdari tha se kompromisi është i nevojshëm, por jo në dëm të programeve me të cilat partitë kanë kërkuar votën e qytetarëve.
“Do të ishte shumë legjitime nëse një kërkesë e tillë do ta barrikadonte atë për formimin e qeverisë. Por kërkon ndryshim programi elektoral me të cilin një subjekt politik ka fituar zgjedhjet, është kërkesë të dalë kundër vetvetes”, deklaroi ajo.
Sipas saj, kushtet për bashkëpunim duhet të jenë të natyrës bazike dhe jo të prekin pikat kryesore programore.
“Do të ishte shumë normale nëse AAK-ja do të vendoste që, për shembull, kriteret të kërkojë diçka që është pak më bazike, jo ato që prekin pikat programore”, tha Hajdari.
Duke folur për zhvillimet në LDK dhe pozitën e kryetarit të saj Lumir Abdixhiku, Hajdari tha se vendimet politike, sipas saj, është dashur të merren më herët.
“Lëvizja nga krejt situata brenda për brenda LDK-së e Abdixhikut vjen në një kohë shumë të vonshme. Ky vendim politik, ky qëndrim politik është dashur të merret shumë më herët, të mos maltretohen qytetarët me zgjedhje të vazhdueshme”, tha ajo.























