Në Shqipëri moti me reshje shiu dhe erëra të forta në bregdet
RTKlive&atsh
Shqipëria do të ndikohet të mërkurën nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme, sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.
Moti do të karakterizohet nga kthjellime, kryesisht në jug të vendit, si dhe alternime vranësirash mesatare deri lokalisht të dendura. Në orët e para të mëngjesit priten reshje të dobëta shiu në veri dhe qendër, të shoqëruara në disa zona me shtrëngata afatshkurtra dhe shkarkesa elektrike.
Nga mesdita deri në orët e pasdites vonë, reshjet do të jenë kryesisht me intensitet të ulët, ndërsa në zonat malore priten episode të izoluara shtrëngatash.
Era do të fryjë nga verilindja dhe veriperëndimi me shpejtësi mesatare rreth 8 m/s. Në zonat bregdetare të veriperëndimit, herë pas here, priten erëra më të forta që mund të arrijnë deri në 16 m/s. Deti parashikohet të ketë valëzim të ulët, me forcë 1–2 ballë.
Temperaturat maksimale do të luhaten nga 30°C deri në 36°C, me vlerat më të larta të regjistruara në jug të vendit.























