Malisheva mposht 2:0 gjigantin skocez Hibernian
A.B./RTKLIve
(Plotësuar, 18:27) Malisheva ka shënuar një fitore të madhe, duke e mposhtur me rezultat 2:0 gjigantin skocez Hibernian në ndeshjen kualifikuese për Ligën e Konferencës. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, dhe u transmetua drejtpërdrejt në RTK.
Heroi i ndeshjes ishte Kreshnik Uka. Golashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës në edicionin e kaluar, me 19 gola, zhbllokoi rezultatin në minutën e 21-të, pasi u shërbye në mënyrë ideale nga Arlind Veliu dhe realizoi nga afërsia.
Uka ishte protagonist edhe në golin e dytë. Në minutën e 90-të ai asistoi për Valmir Nafiun, i cili vulosi fitoren 2:0 dhe i dha Malishevës një epërsi të rëndësishme para ndeshjes së kthimit, që zhvillohet pas një jave në Skoci.
Për Malishevën kjo është paraqitja e tretë radhazi në kualifikimet e garave evropiane, ndërsa skuadra po vazhdon të shkruajë histori. Në raundin e parë kualifikues, ekipi kosovar eliminoi Vllazninë e Shkodrës.
Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Skoci. Skuadra që siguron kualifikimin nga kjo përballje do të luajë në raundin e tretë kualifikues ndaj fituesit të çiftit Bravo (Slloveni) – Shkëndija e Tetovës.
Malisheva mbyll pjesën e parë në avantazh ndaj Hibernian
Malisheva ka zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë ndaj gjigantit skocez Hibernian, në ndeshjen e raundit të dytë kualifikues për Ligën e Konferencës.
Suadra kosovare shkon në pushim me epërsi minimale 1-0 në takimin që po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ndeshja po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, dhe po transmetohet drejtpërdrejt në RTK.























