Kanioni i Kirit, peizazhe përrallore dhe ujëra të kristaltë
atsh
Kanioni i Kirit, vetëm 13 kilometra larg Shkodrës është një nga mrekullitë natyrore më të bukura të qytetit në veri të vendit.
Rreth 8 kilometra i gjatë, ky kanion fillon nga Ura e Shenjtë dhe përfundon në Prekal, ndërsa përgjatë tij gjenden shkëmbinj të mëdhenj, vaska natyrore, pellgje me ujë të kristalë dhe gjire.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kanioni i Kirit, që tashmë është kthyer në një destinacion të preferuar për turistë të shumtë vendas, dhe të huaj.
Me relievin e veçantë, luginën piktoreske dhe ujërat e kthjellëta që gjarpërojnë mes shkëmbinjve, kanionet e Kirit përfaqësojnë një atraksion natyror që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve.
Ndërthurja harmonike e maleve, gjelbërimit dhe ujit krijon një peizazh unik, duke e kthyer zonën në një destinacion të preferuar për adhuruesit e natyrës dhe turizmit të aventurës.
Për të gjithë ata që janë në kërkim të një aventure mes ujit të kristaltë, natyrës së egër dhe pamjeve fantastike, kanioni i Kirit është destinacioni që nuk duhet humbur.























