Seanca plenare, protestë pranë Parlamentit në Shqipëri
RTSH
Një protestë po mbahet para parlamentit teksa pritet dhe nisja e seancës plenare. Qytetarët kanë tentuar të afrohen te Kuvendi, por nuk janë lejuar nga forcat e policisë, të cilat kanë rrethuar institucionin nga të gjitha anët për të lejuar hyrjen e deputetëve dhe vijimin e seancës.
Në gatishmëri janë vendosur edhe autobotë me ujë, si pjesë e planit të masave të Policisë së Shtetit për menaxhimin e situatës në rast tensionimi. Pasi nuk janë lejuar t’i afrohen Parlamentit, qytetarët kanë marshuar drejt Ministrisë së Brendshme.

Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë pritet të nisë punimet e seancës plenare. Në rendin e ditës janë parashikuar ndryshime në përbërjen e komisioneve parlamentare, si dhe shqyrtimi i çështjeve të tjera të procedurës parlamentare.























