Pardew: Vinicius te Arsenali është çështje kohe
BKT
Sport

Pardew: Vinicius te Arsenali është çështje kohe

F.B/RTKLive

Ish-trajneri i Newcastle, Crystal Palace dhe West Hamit, Alan Pardew, beson se transferimi i Vinicius Junior te Arsenali është shumë pranë realizimit.

Sulmuesi brazilian ka hyrë në vitin e fundit të kontratës me Real Madridin dhe negociatat për rinovimin e marrëveshjes ende nuk kanë sjellë një rezultat përfundimtar. Kjo ka shtuar zërat se 26-vjeçari mund të largohet nga "Santiago Bernabeu" gjatë kësaj vere.

Situata është bërë edhe më interesante pas emërimit të Jose Mourinhos si trajner i Real Madridit. Sipas raportimeve, marrëdhënia mes Mourinhos dhe Viniciusit nuk ka qenë gjithmonë ideale, ndërsa kjo mund të ndikojë në të ardhmen e sulmuesit brazilian.

Arsenali raportohet se është gati t’i ofrojë Viniciusit kontratën më të madhe në historinë e klubit, me lojtarin që kërkon një pagë rreth 550 mijë euro në javë.

Duke folur për talkSPORT, Pardew ka thënë se një kalim në Londër do të ishte shumë tërheqës për yllin e Real Madridit.

"Çfarë transferimi do të ishte ky. Besoj se kjo marrëveshje do të ndodhë. Ai ka një histori me Jose Mourinhon, është te Real Madridi dhe ka vetëm një vit kontratë të mbetur. Ata janë përpjekur prej kohësh ta bindin për rinovim", ka deklaruar Pardew.

Ai shtoi se Arsenali do të ishte një destinacion ideal për Viniciusin, duke marrë parasysh statusin e klubit dhe jetën në Londër.

"Po flasim për kampionët e Premier League. Nuk je në Newcastle apo Manchester, je në Londër. Luani për Arsenalin, një klub me ambicie të mëdha, dhe kjo është një mundësi shumë joshëse", u shpreh ai.

Pardew beson se Arsenali duhet të investojë fuqishëm në një yll të madh dhe e konsideron Viniciusin si objektivin kryesor të klubit.

"Nëse do të isha trajner i Arsenalit, do të bëja gjithçka për një talent të nivelit të Vinicius Junior. Për mua kjo është një marrëveshje që do të realizohet. Mendoj se ai është objektivi numër një i Arsenalit dhe ndoshta ka qenë prej kohësh."

Largimi i Leandro Trossard ka lënë Arsenalin me më pak alternativa në krahun e majtë të sulmit, ku aktualisht opsionet kryesore janë Gabriel Martinelli dhe afrimi i ri Christos Tzolis.

Nëse transferimi realizohet, Vinicius Junior mund të bëhet blerja më e shtrenjtë në historinë e Arsenalit dhe një nga lëvizjet më të mëdha të afatit kalimtar të verës.