Lushtaku dhe të tjerët shpallen të pafajshëm në rastin `Drenica 1`
Sh.Ç/RTKlive
(E plotësuar) Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të pafajshëm kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe shtatë të akuzuarit e tjerë në rastin për frikësim të dëshmitarëve, i ndërlidhur me rastin e njohur si “Drenica 1”.
Përveç Lushtakut, të pafajshëm u shpallën edhe Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Bajram Dibrani dhe Sheremet Jashari. Trupi gjykues i liroi të gjithë nga të gjitha pikat e aktakuzës, duke vlerësuar se nuk është gjetur asnjë provë që do të vërtetonte fajësinë e tyre.
“Nuk është gjetur asnjë provë që do të vërtetonte fajësinë e të pandehurve”, u tha gjatë shpalljes së aktgjykimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sami Lushtaku nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së vendimit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të akuzuarit dyshohej se, nga qershori i vitit 2013 deri në shtator të vitit 2015, kishin detyruar dy dëshmitarë të ndryshonin dëshmitë e tyre në rastin “Drenica”, duke u ngarkuar për veprat penale “pengim i dëshmisë apo procedurës zyrtare” dhe “frikësim gjatë procedurës zyrtare”.
Rasti “Drenica” lidhet me akuzat për keqtrajtim të civilëve në Likoc gjatë luftës, për të cilin më herët janë dënuar disa persona.
Sot merret vendimi në rastin “Drenica 1”
Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të shpallë sot, nga ora 13:00, aktgjykimin në rastin e njohur si “Drenica 1”, ku të akuzuar janë Sami Lushtaku dhe shtatë persona të tjerë.
Seanca e fundit u karakterizua me paraqitjen e fjalëve përfundimtare nga mbrojtja, e cila në mënyrë të njëtrajtshme kërkoi që të gjithë të akuzuarit të shpallen të pafajshëm për mungesë provash.
Mbrojtja e Sami Lushtakut kundërshtoi besueshmërinë e deklaratave të disa dëshmitarëve, duke argumentuar se ato përmbajnë kundërthënie, si dhe kërkoi që të mos pranohen prova të siguruara nga autoritetet e Serbisë.
Avokati Arianit Koci, që përfaqëson Rrustem Rrukollin, tha se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë asnjë lidhje konkrete të klientit të tij me veprat penale të ngarkuara. Edhe mbrojtësit e Rexhep Xhotës, Fatmir Mjakut, Ismet Haxhajt, Skender Tahirit, Sheremet Jasharit dhe Bajram Dibranit vlerësuan se aktakuza nuk është mbështetur me prova të mjaftueshme dhe kërkuan aktgjykim lirues për klientët e tyre.
Sipas aktakuzës, Sami Lushtaku, Rrustem Rrukolli, Ismet Haxhaj, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani akuzohen për vepra penale që lidhen me ndikimin ndaj dëshmitarëve, pengimin e procedurës penale dhe pjesëmarrjen në grup të organizuar kriminal. Të gjithë të akuzuarit i kanë mohuar akuzat që nga fillimi i procesit gjyqësor.























