Kurti takon M. Wikoff, diskuton për sigurinë dhe bashkëpunimin me NATO-n
V.Th / RTKLive
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim admiralin amerikan George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli të Italisë, i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash.
Kurti ka bërë të ditur se ky ishte takimi i dytë me admiralin Wikoff, pas atij të zhvilluar në janar, ndërsa në fokus të bisedës ishte situata e sigurisë në Kosovë dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të vendit dhe NATO-s.
“Jemi mirënjohës për përkushtimin e NATO-s për mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet, si dhe për kontributin e vazhdueshëm për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në Republikën tonë dhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se gjatë takimit me admiralin George M. Wikoff u diskutua për zhvillimet në fushën e sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s.























