Bayerni mbyll derën për largimin e Olise: S’ka asnjë kontakt me Realin
BKT
Sport

Bayerni mbyll derën për largimin e Olise: S’ka asnjë kontakt me Realin

F.B/RTKLive

Bayern Munich ka hedhur poshtë zërat që e lidhin Michael Olise me një transferim te Real Madridi, duke bërë të qartë se sulmuesi francez nuk është në shitje.

Drejtori i përgjithshëm i klubit bavarez, Jan-Christian Dreesen, ka mohuar kategorikisht raportimet që kanë qarkulluar gjatë javëve të fundit, duke theksuar se Real Madridi nuk ka bërë asnjë lëvizje zyrtare për 23-vjeçarin.

"Po, natyrisht që Olise do të qëndrojë. Nuk kemi marrë asnjë letër, asnjë faks dhe asnjë telefonatë nga Real Madridi. Ndonjëherë është e çuditshme të shohësh se si përhapen lajmet, ndërkohë që ti e di shumë mirë se si qëndron e vërteta", deklaroi Dreesen.

Ai shtoi se interesimi i madh mediatik për të ardhmen e francezit ka bërë që shpesh të pyetet nga miq dhe bashkëpunëtorë për këtë çështje.

"Nuk mund t'i numëroj sa herë më kanë pyetur për Olisen. Askush nuk më ka thënë: 'Nëse vjen një ofertë prej 200 milionë eurosh, duhet ta shesësh'", u shpreh ai.

Deklaratat e drejtuesit të Bayernit përforcojnë idenë se Olise do të mbetet pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm. Në të njëjtën kohë, raportimet e fundit sugjerojnë se Real Madridi ka zhvendosur fokusin te talenti Yan Diomande, për të cilin thuhet se është shumë pranë finalizimit të transferimit.

Në këtë mënyrë, spekulimet për një kalim të Michael Olise në "Santiago Bernabéu" duket se janë shuar, të paktën për këtë afat kalimtar.