Dyshime për varrezë masive në Zubin Potok, Prokuroria jep detaje
A.B|RTKLive
Në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin-Potokut kanë nisur gërmimet në një lokacion ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton se me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, institucionet kompetente janë duke realizuar zhvarrosjen (ekshumimin) me qëllim identifikimin e mbetjeve mortore në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut.
"Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të dy rasteve të hetimit penal që udhëhiqen nga Prokuroria Speciale. Në kuadër të këtij procesi, të martën janë ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar, M.J dhe M.B. Procesi po zbatohet në përputhje me urdhrin gjyqësor dhe standardet profesionale e ndërkombëtare për identifikimin e mbetjeve mortore dhe ruajtjen e provave, me pjesëmarrjen e institucioneve përgjegjëse dhe ekspertëve përkatës. Informacionet e mëtejshme do të bëhen publike vetëm në masën që nuk cenojnë integritetin e procedurës penale, procesin e identifikimit dhe të drejtat e familjarëve të viktimave. Institucionet mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre", njofton Prokuroria Speciale.
Dyshimet e para janë se këto mbetje mortore mund t'u përkasin pjesëtarëve të intelektualëve të Mitrovicës, të zhdukur më 19 prill të vitit 1999. Ndërkohë, policia mbrëmë ka arrestuar dy persona të dyshuar në lidhje me këtë rast. Të dyshuarit janë arrestuar në Zubin Potok dhe janë ndaluar për 48 orë. Ata dyshohet se kanë kryer krime mbi popullsinë civile në rajonin e Mitrovicës, ku janë vrarë 23 civilë shqiptarë, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë.























