Man City e mendon Neto-n pasues të Savinho-s
F.B/RTKLive
Manchester City raportohet se ka nisur të shqyrtojë mundësinë e transferimit të Pedro Netos nga Chelsea, pasi klubi anglez po përgatitet për një ndryshim të mundshëm në repartin ofensiv.
Sipas “Flashscore”, kampioni i Anglisë e sheh anësorin portugez si një kandidat për të zëvendësuar Savinhon, i cili mund të largohet gjatë kësaj vere.
Tottenham Hotspur ka qenë në bisedime me Manchester Cityn për transferimin e brazilianit dhe ekziston optimizëm se një marrëveshje mund të arrihet së shpejti. City është i gatshëm ta lejojë largimin e Savinhos, nëse “Spurs” plotëson kërkesën prej rreth 60 milionë funtesh.
Një largim i tillë do ta detyronte skuadrën e Pep Guardiolës të kërkonte një sulmues të ri krahu. Për këtë arsye, klubi ka analizuar disa mundësi në treg, përfshirë edhe emra si Vinicius Junior i Real Madridit dhe Rafael Leão i Milanit.
Megjithatë, Pedro Neto është një nga opsionet që po vlerësohet seriozisht nga drejtuesit e Cityt. Portugezi konsiderohet një lojtar që përshtatet me profilin e kërkuar nga klubi dhe mund të jetë i arritshëm në këtë periudhë të riformimit të skuadrës.
E ardhmja e 26-vjeçarit në "Stamford Bridge" është bërë më e pasigurt, pasi Chelsea po punon për të riorganizuar ekipin sipas kërkesave të trajnerit Xabi Alonso. Klubi londinez thuhet se do të ishte i gatshëm të dëgjonte oferta për Neton.
Përveç Manchester Cityt, interesim për anësorin portugez ka shfaqur edhe Tottenham, ndërsa një transferim i tij pritet të kushtojë një shumë të ngjashme me atë që City kërkon për Savinhon.
Manchester City dëshiron të sigurojë zëvendësuesin e brazilianit para se të japë dritën jeshile për largimin e tij dhe në ditët e fundit ka përshpejtuar planet për përforcimin e krahut të sulmit.























