UEFA nuk i beson më Infantino-s
F.B/RTKLive
UEFA ka ashpërsuar qëndrimin ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke deklaruar se ka humbur besimin në lidershipin e tij, pavarësisht vendimit të fundit për t`u tërhequr nga plani kontrovers për privatizimin e turneut të Kupës së Botës.
Në një reagim zyrtar, qeveria e futbollit evropian theksoi se tërheqja nga projekti nuk është e mjaftueshme për të rikthyer besimin e humbur, duke vlerësuar se mënyra se si u zhvillua i gjithë procesi ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e drejtuesve të FIFA-s.
Sipas UEFA-s, lidershipi aktual i FIFA-s ka humbur jo vetëm besimin e organizatës evropiane, por edhe të shumë anëtarëve të tjerë të komunitetit ndërkombëtar të futbollit.
Në reagim rikujtohet se, kur u zgjodh president i FIFA-s në vitin 2016, Infantino kishte premtuar transparencë të plotë dhe kishte deklaruar se fondet e FIFA-s do të shërbenin vetëm për zhvillimin e futbollit përmes federatave anëtare.
UEFA vlerëson se këto premtime nuk janë përmbushur, ndërsa projekti për krijimin e një kompanie private që do të menaxhonte të drejtat e Kupës së Botës u cilësua si një iniciativë e zhvilluar pa transparencën e nevojshme.
Organizata evropiane thekson se kundërshtimi i gjerë nga konfederata dhe drejtues të ndryshëm të futbollit bëri që plani të mos realizohej, duke e cilësuar këtë si një fitore për futbollin.
Megjithatë, UEFA nënvizon se çështja nuk përfundon me tërheqjen e projektit, pasi sfida kryesore mbetet rikthimi i besimit dhe besueshmërisë në qeverisjen e FIFA-s.























