Tërhiqet Besiktasi, Salah pranë Trabzonsporit
F.B/RTKLive
Mohamed Salah mund ta vazhdojë karrierën në Superligën e Turqisë, por jo te Besiktasi, siç ishte raportuar më herët.
Sipas gazetarit Santi Aouna, Trabzonspori ka hyrë fuqishëm në garë dhe është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje me yllin egjiptian.
Raportohet se klubi turk ka avancuar ndjeshëm bisedimet me përfaqësuesit e Salahut dhe është afër finalizimit të transferimit, duke i kaluar rivalët në garën për nënshkrimin e tij.
Si pasojë e këtij zhvillimi, Besiktasi ka pezulluar negociatat, ndonëse më herët kishte arritur një marrëveshje verbale me kampin e futbollistit për një kontratë 1+1-vjeçare, me pagë neto prej 10 milionë eurosh në sezon dhe bonuse që mund të arrinin në 2 milionë euro.
Salah u largua nga Liverpooli në fund të sezonit të kaluar, duke i dhënë fund një periudhe të jashtëzakonshme në "Anfield". Gjatë nëntë sezoneve me klubin anglez, ai zhvilloi 401 ndeshje, shënoi 257 gola dhe regjistroi 119 asistime, duke u bërë golashënuesi më i mirë i Liverpoolit në historinë e Premier League dhe i treti në listën e golashënuesve më të mirë të klubit.
Edhe pse transferimi ende nuk është zyrtarizuar, të gjitha sinjalet tregojnë se Trabzonspori është në avantazh për të siguruar shërbimet e njërit prej futbollistëve më të mëdhenj të dekadës së fundit.























