Pesë emra në garë për Prokuror të Përgjithshëm të Shqipërisë
BKT
Shqipëri

Pesë emra në garë për Prokuror të Përgjithshëm të Shqipërisë

ATSH

Pesë kandidatë kanë hyrë në garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm pas mbylljes së afatit të aplikimeve.

Sipas medieve, kandidaturat janë: Fatjona Memçaj, prokurore në Eurojust, aktualisht në mandatin e saj të dytë; Arta Marku, ish-prokurore e Përgjithshme e Përkohshme; Ylli Pjetërnika; prokurorja e Tiranës, Rovena Bozo; si edhe prokurori i SPAK-ut, Adnan Xholi.

Procedura për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm u hap nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), i cili shpalli thirrjen publike për nisjen e procedurës administrative të përzgjedhjes së kandidatëve, pasi në muajin dhjetor i përfundon mandati prokurorit Olsian Çela.

Afati i fundit i aplikimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ishte 1 gushti, por duke qenë se ishte e shtunë, aplikime priten edhe këtë të hënë.

Me mbylljen e afatit të aplikimeve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar me pikë dhe më tej lista me tre emrat i dërgohet Kuvendit ku duhet të marrë 3/5 e votave të deputetëve.

Nëse Kuvendi nuk e zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e kandidatëve, emri i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë konsiderohet i emëruar automatikisht.


MË SHUME NGA Shqipëri