Dugolli kërkon angazhim të shtuar për sigurinë në trafik
V.Th / RTKLive
Zbatimi i ligjit, bashkëpunimi institucional dhe respektimi i rregullave të komunikacionit janë të domosdoshme për parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve, ka thënë zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli.
Dugolli ka bërë të ditur se ka zhvilluar takim me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, zëvendësdrejtorin e përgjithshëm, kolonel Fehmi Hoti, drejtorin e Departamentit për Siguri Publike, nënkolonel Arbnesh Ajvazi, si dhe drejtorin e Divizionit të Trafikut Rrugor, nënkolonel Jeton Rexhepi.
Sipas tij, gjatë takimit është diskutuar për prioritetet në forcimin e sigurisë publike, me theks të veçantë sigurinë në trafikun rrugor.
“Rritja e vazhdueshme e numrit të automjeteve dhe e pjesëmarrësve në trafik kërkon angazhim të shtuar, bashkëpunim të ngushtë institucional dhe zbatim të vendosur të ligjit, me qëllim parandalimin e aksidenteve, zvogëlimin e pasojave të tyre dhe, mbi të gjitha, mbrojtjen e jetës së qytetarëve”, ka shkruar Dugolli.
Ai u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe trafikut, të shmangin përdorimin e telefonit gjatë ngasjes dhe të mos drejtojnë automjetet nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera.
“Çdo rregull i respektuar nuk është vetëm një obligim ligjor, por edhe një akt i përgjegjësisë qytetare dhe i vetëdijesimit, që përbën një hap më shumë drejt shpëtimit të jetëve dhe rritjes së sigurisë në rrugët tona”, ka theksuar Dugolli.























