Panelistët: Marrëveshja politike, vendimtare për formimin e institucioneve
Emine Hoti/RTKlive
Në emisionin RTK Prime u diskutua për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet nesër, si dhe për zhvillimet e fundit politike pas takimeve ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Pjesë e panelit ishin hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Qemajl Marmullakaj, analistja Fatime Hajdari, analisti Ejup Gojnovci dhe publicisti Sadik Zeqiri, të cilët diskutuan për procedurat kushtetuese, mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike dhe sfidat që mund ta përcjellin formimin e institucioneve.
Marmullakaj, tha se dialogu ndërmjet partive politike është dashur të niste më herët dhe se vonesat kanë krijuar pasiguri rreth formimit të institucioneve.
"Nesër fokusi i qytetarëve edhe fokusi i partive politike duhet të jetë në konstituimin e Kuvendit njëherë për njëherë, pasi që është obligim kushtetues, si me Kushtetutë ashtu edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që nesër të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe pastaj të vazhdohet me hapat e tjerë", tha Marmullakaj.
Ai sqaroi edhe procedurën që pason pas konstituimit të Kuvendit."Në atë moment që janë të zgjedhur kryetari dhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi vlerësohet se është i konstituuar dhe kalohet pastaj në hapa të tjerë kushtetues", tha ai.
Analistja Fatime Hajdari u shpreh se posti i kryetarit të Kuvendit nuk paraqet pengesën kryesore në negociatat ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas saj, partitë duhet të fokusohen në programin qeverisës dhe në prioritetet strategjike të vendit."Mendoj që do të ishte e rrugës të dakordoheshin mbi programin edhe mbi atë se si synojnë të ecin tutje sa i përket aspiratave tona për integrimin në organizatat euro-atlantike, e më së paku të kemi synime për barrikadim edhe një herë tjetër, sidomos rreth pozitës së presidentit."
Analisti Ejup Gojnovci tha se çështja e presidentit mbetet pengesa kryesore për arritjen e marrëveshjes ndërmjet dy partive."Problemi është presidenca. Domethënë të dy kampet politike pretendojnë ta kenë postin, pozitën e presidentit të vendit. Kush më pak e kush më shumë të drejtë, secila i jep të drejtë vetes", tha Gojnovci.
Ai tha se mbetet e rëndësishme nëse kryetari i LDK-së gëzon mbështetjen e plotë të grupit parlamentar."Po thotë që po zoti Abdixhiku dhe kjo është lajm i mirë nëse është e vërtetë."
Gojnovci shtoi se takimi i së mërkurës ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut mund të ketë shërbyer edhe për të dhënë garanci rreth mbështetjes së 18 deputetëve të LDK-së."Dhe nëse kjo ka ndodhur, atëherë gjërat kanë ecur në drejtim pozitiv dhe janë në një shkallë tjetër", shtoi ai.
Ndërkaq, publicisti Sadik Zeqiri tha se LDK-ja synon një marrëveshje të balancuar, ku përfshihet edhe posti i presidentit."Lidhja Demokratike kërkon hise edhe në qeveri edhe në presidencë."
Ai vlerësoi se ende ka hapësirë për negociata dhe nuk e përjashtoi mundësinë që seanca e së enjtes të mos përmbyllë të gjitha pikat e rendit të ditës."Unë mendoj që edhe seanca e nesërme do të shtyhet dhe nuk do të mbahet për shkak që të jepet kohë, meqë ka afat kushtetues edhe një ditë, që të gjendet ndonjë kompromis."
Sipas Zeqirit, një marrëveshje politike para zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit do të krijonte më shumë siguri edhe për hapat e mëtejmë në procesin e formimit të institucioneve.























