LDK kërkon mbajtjen e seancës sonte: Kuvendi të konstituohet brenda afatit
BKT
Lajme

LDK kërkon mbajtjen e seancës sonte: Kuvendi të konstituohet brenda afatit

G.K/RTKlive

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin për moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se kjo situatë rrezikon ta vendosë vendin në paqartësi kushtetuese dhe mungesë të legjitimitetit institucional.

“Një situatë e tillë rrezikon ta vendosë Republikën e Kosovës në një fazë të paqartësisë kushtetuese e mungesë të plotë të legjitimitetit institucional, dhe me pasoja të pariparueshme për funksionimin e rregullt të institucioneve dhe sigurinë juridike në vend”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

LDK-ja ka thënë se qëndrimi i saj gjatë gjithë procesit ka qenë që Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duke shtuar se këtë qëndrim e ka paraqitur në çdo takim konsultativ, përfshirë edhe takimin e zhvilluar sot nga kryetari i LDK-së.

Në deklaratë, LDK-ja ka rikujtuar se zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues dhe se respektimi i tyre i plotë është në interes të funksionimit demokratik të Republikës.

“Prandaj, LDK i bën thirrje subjektit të parë parlamentar që, në përmbushje të përgjegjësive që i takojnë në këtë proces, të mundësojë mbajtjen e seancës së konstituimit sonte dhe përmbylljen e këtij procesi brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratë.

LDK-ja ka thënë se mosthirrja e vazhdimit të seancës sonte, brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ua pamundëson deputetëve ushtrimin e mandatit të tyre në përmbushje të obligimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit. 

 


MË SHUME NGA Lajme