Ndërpritet seanca konstituive, Kadrijaj hedh vezë drejt Kurtit dhe deputetëve
BKT
Lajme

Ndërpritet seanca konstituive, Kadrijaj hedh vezë drejt Kurtit dhe deputetëve

G.K/RTKlive

(E përditësuar 12:16) Është ndërprerë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike. Kryesuesi Avni Dehari më pas e shpalli seancën të mbyllur, ndërsa deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit dhe deputetëve të Vetëvendosjes.

Në hapje të seancës, Dehari bëri të ditur se të pranishëm ishin 109 deputetë, ndërsa mungonin 11, duke konstatuar se kishte kuorum për vazhdimin e punimeve.

Ai tha se seanca vazhdonte me pikën e tretë të rendit të ditës, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, dhe ftoi Kurtin që të propozonte kandidaten apo kandidatin për këtë pozitë.

Kurti kërkoi kohë shtesë për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike.

Pas kërkesës së tij, kryesuesi Avni Dehari e shpalli seancën të mbyllur.

Pas mbylljes së seancës, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit dhe deputetëve të Vetëvendosje

Nis seanca konstituive, të pranishëm 109 deputetë

Seancën e ka hapur kryesuesi Avni Dehari, si deputeti më i moshuar i Kuvendit.

Në sallë janë të pranishëm 109 deputetë, ndërsa mungojnë 11. 

11:58 Seanca ende nuk ka nisur, deputetët fillojnë të hyjnë në sallë

(E përditësuar 11:58) Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ende nuk ka nisur, ndonëse ishte paraparë të fillonte në orën 11:00, ndërsa deputetët e LDK-së ,LVV-së, PDK-së dhe AAK-s kanë hyrë në sallën e seancës.

Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për sot, e shtunë, 8 gusht, në orën 11:00, me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Në seancën konstituive, e cila kishte nisur të enjten, deputetët bënë betimin, ndërsa më pas punimet u ndërprenë pasi nuk u paraqit emri i kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kishin kërkuar që seanca të vazhdonte të premten në orën 22:30, por ajo nuk u mbajt.

08:26  - Sot në 11:00 vazhdon seanca konstituive e Kuvendit

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë sot, e shtunë, 8 gusht, në orën 11:00, me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar nga Kuvendi për sot në orën 11:00, ndërsa opozita kishte kërkuar që ajo të mbahej mbrëmë, duke argumentuar se në mesnatë përfundonte afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.

Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së u mblodhën mbrëmë në Kuvend, pasi kishin kërkuar që seanca të vazhdonte në orën 22:30, por ajo nuk u mbajt. Ata thanë se dyert e sallës ishin të mbyllura.

Në seancën konstituive, e cila kishte nisur të enjten, deputetët bënë betimin, ndërsa më pas punimet u ndërprenë pasi nuk u paraqit emri i kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kishte kërkuar kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike me partitë.

Opozita ka kundërshtuar shtyrjen e procesit përtej afatit, duke e cilësuar atë si mosrespektim të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka rikujtuar se edhe në vitin 2025 Kuvendi nuk ishte konstituuar brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.

Vazhdimi i seancës është caktuar për sot në orën 11:00. Përfaqësuesit e opozitës ende nuk kanë bërë të ditur nëse do të marrin pjesë. 


MË SHUME NGA Lajme