Heqja e flamurit ukrainas në Prishtinë merr jehonë në Ukrainë
Sh.Çoçaj/RTKlive
Heqja e flamurit gjigant të Ukrainës nga një prej ndërtesave në qendër të Prishtinës ka marrë vëmendje edhe në mediat ukrainase, një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi në Beograd se qëndrimi i Kievit për Kosovën mbetet i pandryshuar.
Flamuri, i vendosur në Prishtinë pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022, ishte shndërruar në një nga simbolet më të dukshme të solidaritetit të Kosovës me popullin ukrainas.
Por deklaratat e Zelenskyt gjatë vizitës së tij në Serbi sollën reagime të forta në Kosovë. Si pasojë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi për largimin e flamurit.
Ngjarja u raportua gjerësisht nga mediat ukrainase, ndërsa The Kyiv Independent e vendosi në titull mesazhin e Prishtinës: “Kosova duhet të respektohet”.
Në raportimin e saj, media ukrainase i referohet reagimeve të zyrtarëve kosovarë pas vizitës së Zelenskyt në Beograd dhe rikujton se Ukraina, pavarësisht mbështetjes që ka marrë nga Kosova gjatë luftës, vazhdon të mos e njohë pavarësinë e saj.
“Zyrtarët në Kosovë shprehën zemërim më 9 gusht, pas vizitës së parë zyrtare të Presidentit Volodymyr Zelensky në Serbi, ku ai përsëriti qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës”, shkruan The Kyiv Independent.
Media shton se Zelensky u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd dhe se vizita u zhvillua në një kohë kur marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë mbeten të afërta.
“Pavarësisht mbështetjes së Kosovës për Kievin gjatë luftës kundër Moskës, Ukraina nuk e njeh zyrtarisht Kosovën si shtet, qëndrim të cilin Zelensky e konfirmoi gjatë bisedimeve me Vuçiqin”, thuhet në artikull.
Raportimi ukrainas ndalet edhe te historia e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe lufta e vitit 1998–1999, duke përmendur krimet e kryera gjatë konfliktit dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Lajmi u publikua edhe nga Ukrainska Pravda, e cila e titulloi raportimin: “Ukrainian flag removed from building in central Pristina: ‘Kosovo must be respected’”.
Në artikull u përfshi edhe mesazhi i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili shoqëroi pamjet e largimit të flamurit.
“Dhembshuria dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë dhe persekutim. Në fund të fundit, ne, më shumë se shumë të tjerë, e dimë se çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet”, thuhet në pjesën e mesazhit të Ramës të cituar nga media ukrainase.
“The New Voice of Ukraine” sjell një detaj domethënës, duke theksuar se baneri me mbishkrimin “Free Ukraine” kishte qëndruar në qendër të Prishtinës që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës.
Për zhvillimin raportuan edhe media të tjera ukrainase, përfshirë, European Pravda, Hromadske dhe Babel, TSN, 24 Kanal dhe Espreso, me 24 Kanal që e përshkruan largimin e flamurit si një “hap demonstrativ në Prishtinë” pas vizitës së Zelenskyt në Serbi, ndërsa Espreso thekson thirrjen nga Prishtina për respektimin e shtetësisë së Kosovës.
Deklarata e Zelenskyt në Serbi shkaktoi reagime edhe në institucionet e Kosovës.
Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, shprehu keqardhje për qëndrimin e Kievit, duke rikujtuar mbështetjen që Kosova i ka dhënë Ukrainës që nga fillimi i luftës.
Në një postim në platformën X, Konjufca tha se Kosova, që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, ka qëndruar në mbështetje të Kievit, pavarësisht se Ukraina nuk e njeh shtetin e Kosovës.
“Me keqardhje kemi pranuar deklaratat e presidentit Zelenskyy në Beograd, me të cilat ai riafirmoi mosnjohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina”, shkroi Konjufca.
Ai tha se Kosova ka dënuar pushtimin rus, është harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë dhe ka ofruar ndihmë për Ukrainën.
“Këtë e bëmë pavarësisht mosnjohjes së shtetit tonë nga Ukraina, sepse solidariteti me një popull që mbron lirinë, sovranitetin dhe integritetin e tij territorial është çështje parimi”, shkroi ai.
Konjufca theksoi edhe dallimin mes qëndrimit të Kosovës dhe atij të Serbisë ndaj Rusisë.
“Është po aq e rëndësishme të rikujtohet një dallim i qartë: ndërsa Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk është harmonizuar me sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosura si përgjigje ndaj luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha ai.
Reagim pati edhe nga Shqipëria, ku Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme tha se çështja e Kosovës nuk mund të barazohet me agresionin rus ndaj Ukrainës.























