UEFA, AFC dhe CONCACAF godasin Infantinon: Futbolli nuk i përket askujt
BKT
Sport

UEFA, AFC dhe CONCACAF godasin Infantinon: Futbolli nuk i përket askujt

F.Bytyqi/RTKLive

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është përballur me kritika të reja, pasi UEFA, CONCACAF dhe AFC kanë dalë me një deklaratë të përbashkët kundër drejtimit të tij dhe planit për përfshirjen e investimeve private në garat e FIFA-s.

Tri konfederatat kryesore të futbollit evropian, aziatik dhe të Amerikës së Veriut e kanë bërë të qartë se futbolli nuk mund të trajtohet si pronë personale e një individi.

“Udhëheqja në futboll nuk është pronë. Ajo nuk ka të bëjë me mbajtjen apo kërkimin e pushtetit për t’u mbajtur”, thuhet në letrën e përbashkët të UEFA-s, CONCACAF-it dhe AFC-së.

Përplasja vjen pas polemikave të krijuara nga iniciativa e Infantinos për të tërhequr investime private në garat e FIFA-s, përfshirë edhe Kupën e Botës. Plani u bë publik dhe më pas u tërhoq vetëm pak ditë më vonë, pas reagimeve të forta nga brenda botës së futbollit.

FIFA kishte reaguar të shtunën duke e cilësuar situatën si një “përpjekje të koordinuar dhe të vazhdueshme nga disa persona për të dëmtuar” institucionin qeverisës të futbollit botëror dhe vetë Infantinon.

Megjithatë, letra e UEFA-s, CONCACAF-it dhe AFC-së tregon se kundërshtimet ndaj presidentit të FIFA-s nuk janë zbehur.

“Kur besimi thyhet përmes mashtrimit, kur një individ e vendos veten mbi kolektivin që i ka besuar autoritetin, atëherë kjo detyrë është braktisur”, thuhet më tej në deklaratë.

Përplasja e fundit pritet të shtojë presionin mbi Infantinon, në një kohë kur mënyra e tij e drejtimit të FIFA-s po përballet me kundërshtime të forta nga disa prej konfederatave më të rëndësishme të futbollit.