Posta e Kosovës lëshon pullën postare “Shpella e Radavcit”
M.Sh/RTKLive
Posta e Kosovës ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e ri të pullave postare “Shpella e Radavcit”, kushtuar një prej monumenteve më të veçanta të trashëgimisë natyrore të Kosovës.
Shpella e Radavcit, e mbrojtur si monument natyror që nga viti 1983, së bashku me Burimin e Drinit të Bardhë shtrihet në një sipërfaqe prej 89.94 hektarësh dhe përbën një nga komplekset më të rëndësishme natyrore të vendit.
E vendosur pranë fshatit Radavc, rreth 11 kilometra nga Peja, në pjesën verilindore të Bjeshkëve të Nemuna, shpella është një nga destinacionet e rëndësishme të turizmit natyror në Kosovë.
Posta e Kosovës thotë se përmes këtij emisioni filatelik synon të promovojë dhe dokumentojë vlerat natyrore të Kosovës, duke i sjellë ato në vëmendjen e publikut vendor dhe ndërkombëtar përmes filatelisë.
Sipas Postës, pullat postare, përveç funksionit të tyre në komunikimin postar, përbëjnë edhe një mënyrë të veçantë për ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë, historisë, kulturës dhe bukurive natyrore të vendit.
Posta e Kosovës i ka ftuar koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët që emisionin “Shpella e Radavcit” ta bëjnë pjesë të koleksioneve dhe komunikimit të tyre.
























