Maradona dha sinjale alarmi para vdekjes
F.B/RTKLive
Diego Armando Maradona kishte shfaqur disa sinjale alarmi në ditët para vdekjes së tij, por ato nuk u morën në konsideratë nga mjekët që e asistonin në shtëpi.
Kështu ka deklaruar mjeku ligjor Carlos Cassinelli gjatë procesit gjyqësor ndaj shtatë personave të akuzuar për neglizhencë në trajtimin e legjendës së futbollit argjentinas.
Maradona ndërroi jetë në nëntor të vitit 2020, si pasojë e problemeve kardiake dhe një edeme akute pulmonare, rreth dy javë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Sipas Cassinellit, në ditët para vdekjes Maradona kishte shfaqur shenja të qarta të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, përfshirë ënjtje të gishtërinjve, vështirësi në frymëmarrje, hipertension dhe frekuencë anormale të rrahjeve të zemrës.
Mjeku ligjor ka vlerësuar se këto shenja duhej të kishin nxitur një vlerësim të menjëhershëm mjekësor, ndërsa sipas tij nuk pati ndërhyrjen e nevojshme për të përcaktuar shkaqet e përkeqësimit të gjendjes së Maradonës.
Cassinelli ka theksuar gjithashtu se gjendja e ish-futbollistit ishte përkeqësuar ndjeshëm pas daljes nga spitali dhe se mënyra e asistencës në shtëpi përbënte një gabim serioz.
Sipas dëshmisë së tij, Maradona kishte kaluar rreth 12 orë në një gjendje agonie përpara se të ndërronte jetë.
Shtatë personat e akuzuar në këtë proces kanë mohuar përgjegjësinë për vdekjen e Maradonës. Mbrojtja pretendon se problemet e tij të mëparshme me varësinë ndaj kokainës dhe alkoolit kishin ndikuar në gjendjen e tij shëndetësore dhe se vdekja erdhi për shkaqe natyrale.
Procesi gjyqësor po shqyrton nëse veprimet ose mosveprimet e ekipit mjekësor kontribuuan në vdekjen e një prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.























