Boksierët kosovarë përgatiten për Lojërat Mesdhetare ‘Taranto 2026’
F.Bytyqi/RTKLive
Federata e Boksit e Kosovës ka organizuar një kamp shtatëditor përgatitor për boksierët e Kombëtares së Kosovës, në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026.
Kampi po zhvillohet në Gjakovë nga 6 deri më 13 gusht, me mbështetjen e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), ndërsa vjen në një periudhë të rëndësishme për përfaqësuesit kosovarë, pak ditë para nisjes së garave në Itali.
Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 do të zhvillohen nga 21 gushti deri më 3 shtator në Itali.
Përgatitjet janë pjesë e planit të Kombëtares së Kosovës për avancimin e formës fizike, teknike dhe taktike të boksierëve, me synim që ata të jenë në nivelin maksimal dhe të përfaqësojnë Kosovën sa më denjësisht në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.
Boksierët janë përzgjedhur nga përzgjedhësi i Kombëtares, Faton Xhakli, ndërsa përgatitjet po zhvillohen nën drejtimin e trajnerit Shefki Bogujevci, me ndihmën e trajnerëve të klubit “Sport Center”, Leo Hoxha dhe Lekë Ramoja.
Në kampin përgatitor po marrin pjesë:
Bashkim Bajoku – boksier
Lumturim Xhoxhaj – boksier
Shpëtim Bajoku – boksier
Taulant Jakupi – boksier
Shefki Bogujevci – trajner
Kosova do të synojë të paraqitet me ambicie të larta në ringun e Tarantos, me përkushtim dhe punë intensive në prag të kësaj ngjarjeje të rëndësishme sportive.
























