Analistët në RTK Prime: Kuvendi sot, episodi më i keq i demokracisë
BKT
Lajme

Analistët në RTK Prime: Kuvendi sot, episodi më i keq i demokracisë

Medina Pasoma / RTKlive

Analistët në RTK Prime, e kanë cilësuar si një nga momentet më të dëmshme të demokracisë së vendit, situatën e krijuar me tension dhe përplasje fizike sot ndërmjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Gojnovci: Sjellja e deputetëve sot, çmimi që qytetarët s’ do të duhej ta paguanin

Ejup Gojnovci e ka quajtur një nga episodet më të këqija e lënduese në demokracinë e Kosovës, situatën e krijuar sot në Kuvendin e Kosovës.

“Deputetët e të gjitha ngjyrave partiake do të duhej ta kuptonin që qytetari i Kosovës pret zgjidhjen e situatës politike, të cilën e kanë krijuar po këto parti. Kemi ardhur në një gjendje që tash e dy vjet nuk kemi institucione të plotfuqishme. Sjellja e deputetëve, kacafytja, me raste edhe me tentativa të lehta fizike, vokabulari i ashpër, një pamje e shëmtuar për disa orë në të gjitha ekranet e Kosovës, janë çmimi që qytetarët e Kosovës nuk do të duhej ta paguanin asnjëherë”, ka vlerësuar ai.

Ai tha se kërcënimet që erdhën nga një pjesëtar i mërgatës ndaj deputetit Ramush Haradinaj, s’do të duhej të dëgjoheshin “as nga dikush që vjen nga Serbia”.

“Nuk ka vend për vrasjen e asnjë politikani në Kosovë, e aq më tepër, dua ta përmend veprimtarinë politike të Haradinaj, i cili në rrafshin kombëtar e nacional është hero i këtij vendi”, tha ai.

Zeqiri: Në Kuvend, bashkatdhetarët nuk kanë pasur çfarë të shohin pos ulëseve

Sadik Zeqiri vlerësoi se gjithashtu iniciativa për ditën e fundit të vizitës së diasporës në Kuvend, në situatën e tanishme politike është e pakuptimtë, sepse sipas tij, aty ka vetëm ‘ulëse’.

“Aty nuk kanë çka me pa, përpos ulëseve. Ajo nuk është shtëpi e ligjeve, e demokracisë. Sot është dashur t’u bëhej me dije bashkatdhetarëve sepse ka mund të eskaloj situata për shkak të akuzave që i bënë në prani të medieve, madje edhe duke pasur kërkesë për vrasjen e njërit prej liderëve kryesor të UÇK-së dhe politikës kosovare”, tha ai.

Hajdari: Aksionet politike të pranueshme, cënimi i integritetit fizik jo

Analistja Fatmire Hajdari vlerësoi se zhvillimet e rëndësishme në vend, si nisja e largimit të forcave të KFOR-it në Mitrovicë e vazhdimi i gjetjeve nga varrezat masive detyrimisht po lihen nën hije, si pasojë e kaosit në Kuvendin e Kosovës.

“Ajo që për mua është e pa pranueshme është sjellja e deputetëve sot, të cilët kanë tendencë dhe gjasë për të edukuar dhe revanshuar gjithë secilin që s’mendon njëjtë si ta”, tha ajo.

“Pajtohem plotësisht me aksionet politike, me zonjën Kadrijaj, me hedhjen me ve, letra e çkado tjetër, por të cënohet tjetri fizikisht, deri në prekje mendoj se është e papranueshme prej kujtdo që vjen. Nuk ka rëndësi a është mashkull a grua, e rëndësishme të ruhet integriteti fizik. Në çdo variant tjetër do të kemi pamje edhe më të këqija”, tha Hajdari.

 


MË SHUME NGA Lajme