Analistët e RTK-së: PSG favorite ndaj Aston Villës
BKT
Sport

Analistët e RTK-së: PSG favorite ndaj Aston Villës

Fatmir Bytyqi/RTKLive

Kanë mbetur edhe pak minuta deri në fillimin e Superkupës së Evropës, ku Paris Saint-Germain dhe Aston Villa do të përballen për trofeun e parë evropian të sezonit.

Ndeshja, e cila zhvillohet në Salzburg, do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK, ndërsa përballë do të jenë fituesi i Ligës së Kampionëve, PSG, dhe fituesi i Ligës së Evropës, Aston Villa.

Para kësaj përballjeje, analistët e RTK-së, Jusuf Tortoshi dhe ish-portieri Kushtrim Mushica, kanë vlerësuar se skuadra franceze hyn si favorite për ta fituar trofeun.

Tortoshi ka theksuar dominimin e PSG-së në vitet e fundit, duke veçuar edhe ambiciet e trajnerit Luis Enrique për të vazhduar sukseset në Evropë.

“PSG me të vërtetë kohëve të fundit është ekip totalisht dominues në Ligën e Francës. Dy vite kampion i Evropës nuk është lehtë. Trajneri Luis Enrique po synon që ta fitojë për të tretën herë radhazi Championsin, për t’u barazuar me Real Madridin, e cila është skuadra e vetme që tri herë radhazi e ka fituar Ligën e Kampionëve”, ka deklaruar Tortoshi.

Ai ka shtuar se, pavarësisht ndryshimeve në përbërjen e Aston Villës, PSG mbetet favorite në këtë përballje.

“Sonte është një lojë. Pavarësisht ndryshimeve të lojtarëve te Aston Villa, emri është Aston Villa. Megjithatë, favorit, deshëm apo nuk deshëm, është PSG”, ka thënë Tortoshi.

Në të njëjtën linjë është edhe Kushtrim Mushica, i cili ka vlerësuar se PSG ka treguar dominim jo vetëm në futbollin francez, por edhe në arenën evropiane.

“PSG po dominon jo vetëm në Ligën e Francës, por edhe në Ligën e Kampionëve. Është investuar shumë në këtë skuadër, ku kanë defiluar lojtarë të mëdhenj si Messi, Neymar e Mbappe, por që nuk e patën fituar Ligën e Kampionëve. Tashmë kjo skuadër i ka arritur synimet duke e fituar dy herë radhazi Ligën e Kampionëve dhe mendoj se shumë merita i takojnë trajnerit Luis Enrique”, ka theksuar Mushica.

Megjithatë, ish-portieri kosovar ka paralajmëruar se Aston Villa mund t’i krijojë vështirësi të mëdha kampionit evropian.

“Aston Villa mund të jetë kundërshtar i fortë, sepse ekipet angleze njihen për skuadra të forta fizikisht dhe që nuk dorëzohen lehtë. Megjithatë, mendoj se PSG është favorite në Superkupën e Evropës”, ka përfunduar Mushica.

Ndeshja mes PSG-së dhe Aston Villës nis në orën 21:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.