PSG fiton për herë të dytë radhazi Superkupën, mposht Aston Villën
BKT
Sport

PSG fiton për herë të dytë radhazi Superkupën, mposht Aston Villën

Fatmir Bytyqi/RTKLive

(E përditësuar, 23:01)-Paris Saint-Germain e ka fituar për të dytën herë radhazi Superkupën e Evropës, pasi mposhti Aston Villën me rezultat 2-1 në finalen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Salzburg.

Kampioni i Evropës e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri, duke siguruar trofeun e parë të edicionit pas një ndeshjeje të luftuar dhe me emocione deri në fund.

PSG e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 20-të. Khvicha Kvaratskhelia shënoi për 1-0, duke i dhënë avantazhin skuadrës franceze.

Aston Villa reagoi në fund të pjesës së parë dhe arriti ta barazojë rezultatin në minutën e 45-të përmes Malick Fofana, duke bërë që skuadrat të shkonin në pushim me shifrat 1-1.

Edhe në pjesën e dytë të dyja skuadrat kërkuan golin e fitores, ndërsa ndeshja vazhdoi me ritëm të lartë dhe raste në të dyja portat.

Golin vendimtar për PSG-në e realizoi Désiré Doué në minutën e 61-të, duke e rikthyer skuadrën franceze në epërsi.

Aston Villa tentoi deri në fund të barazonte rezultatin, por PSG arriti ta ruajë avantazhin dhe në fund festoi trofeun e dytë radhazi të Superkupës së Evropës.

Kështu, PSG e nis sezonin e ri me një trofe, ndërsa skuadra franceze vazhdon të konfirmojë dominimin e saj në futbollin evropian.

PSG-Aston Villa, kështu mbyllet pjesa e parë

Ka përfunduar pjesa e parë e finales së Superkupës së Evropës mes Paris Saint-Germainit dhe Aston Villës, me rezultatin 1-1.

Ndeshja po zhvillohet në Salzburg dhe po transmetohet drejtpërdrejt në RTK, me kampionin e Evropës, PSG-në, përballë fituesit të Europa League-s, Aston Villës.

Sfida ka dhuruar një pjesë të parë interesante, me raste nga të dyja skuadrat dhe nga një gol për secilën palë.

PSG kaloi në epërsi në minutën e 20-të, kur Khvicha Kvaratskhelia realizoi për 1-0.

Aston Villa reagoi në fund të pjesës së parë dhe arriti ta barazojë rezultatin në minutën e 45-të përmes Malick Madjo, duke bërë që skuadrat të shkojnë në pushim me rezultatin 1-1.

Pjesa e dytë pritet të sjellë edhe më shumë emocione, pasi të dyja skuadrat synojnë trofeun e parë të sezonit të ri.