Deputetja e LVV-së i përgjigjet Çitakut: Populli ka folur qartë
BKT
Lajme

Deputetja e LVV-së i përgjigjet Çitakut: Populli ka folur qartë

Sh.Çoçaj/RTKlive

Deklaratat politike mes Vetëvendosjes dhe PDK-së janë ashpërsuar pas deklaratave të deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku, e cila e cilësoi Albin Kurtin si “uzurpator” të Zyrës së Kryeministrit.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve të fundit dhe numrit të votave të siguruara nga subjektet politike.

Ajo ka theksuar se Çitaku ka marrë 43,980 vota, ndërsa PDK-ja 157,892 vota. Në anën tjetër, sipas saj, Albin Kurti ka siguruar 324,329 vota.

“Për çfarë uzurpimi po flisni? Populli ka folur qartë. Albin Kurti është kryeministër i vendit”, ka deklaruar Kryeziu Hyseni.

Deputetja e VV-së ka adresuar edhe një mesazh për Çitakun lidhur me drejtimin e Kuvendit. Sipas saj, ajo mund të marrë postin e kryetares së Kuvendit nëse kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e pranon ofertën e Kurtit.

“Znj. Çitaku, ju keni mundësinë të bëheni Kryetare e Kuvendit nëse z. Hamza pranon ofertën e Kryeministrit Kurti”, ka shkruar ajo.

Deklaratat vijnë në një moment të tensionuar politik, ku përplasjet mes dy subjekteve janë zhvendosur edhe në debatet për funksionimin e institucioneve dhe konstituimin e Kuvendit.


MË SHUME NGA Lajme