Egnatia bën historinë, përmbys Shamrock dhe siguron Evropën
F.Bytyqi/RTKLive
Egnatia ka bërë historinë në arenën ndërkombëtare, duke siguruar për herë të parë në historinë e klubit pjesëmarrjen në fazën e ligës të një kompeticioni evropian.
Rrogozhinasit kanë realizuar një përmbysje spektakolare ndaj Shamrock Rovers, duke triumfuar 5-1 në ndeshjen e kthimit dhe duke e përmbysur humbjen 3-1 të sfidës së parë. Me rezultatin e përgjithshëm 6-4, skuadra e Nevil Dedes ka siguruar kalimin në ‘play-off’-in e Europa League.
Egnatia e nisi furishëm takimin dhe brenda vetëm katër minutash kaloi në epërsi përmes Adjesës. Albanese e dyfishoi avantazhin në minutën e 11-të, ndërsa Gruda shënoi golin e tretë në minutën e 20-të.
Adjesa ishte sërish protagonist në minutën e 38-të, duke realizuar golin e dytë personal dhe të katërtin për Egnatian. Albanese kompletoi dopietën në minutën e 58-të, duke e çuar rezultatin në 5-0.
Pavarësisht se Egnatia mbeti me dhjetë lojtarë pas përjashtimit të Ndrecës në fundin e pjesës së parë, skuadra shqiptare nuk u tërhoq dhe vazhdoi të kontrollonte takimin.
Shamrock Rovers arriti të shënojë vetëm një gol në minutën e 74-të përmes Burke, por ai nuk ndryshoi asgjë në fatin e përballjes.
Kualifikimi në ‘play-off’-in e Europa League i garanton Egnatias të paktën pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League. Sipas rregulloreve të UEFA-s, ekipet që eliminohen në ‘play-off’-in e Europa League vazhdojnë garën në fazën e ligës së Conference League.
Megjithatë, aventura evropiane e Egnatias mund të bëhet edhe më e madhe. Rrogozhinasit do të përballen me Lillestrømin e Norvegjisë në ‘play-off’-in e Europa League, me synimin për të shkruar një tjetër kapitull historik dhe për të siguruar pjesëmarrjen në fazën e ligës së këtij kompeticioni.
Kështu, Egnatia tashmë e ka të garantuar Evropën, ndërsa ëndrra për të luajtur në Europa League vazhdon.























