Iga Swiatek rikthehet te trofetë, triumfon në finalen e Torontos
F.Bytyqi/RTKLive
Iga Swiatek ka triumfuar në turneun WTA 1000 të Torontos, duke fituar trofeun e parë për këtë sezon.
Tenistja polake zhvilloi një finale të jashtëzakonshme dhe mposhti kazaken Elena Rybakina me rezultatin e pastër 6-2, 6-3, në një ndeshje të dominuar nga fillimi deri në fund.
Për Swiatek, ky ishte një triumf veçanërisht i rëndësishëm, pasi për herë të parë gjatë vitit 2026 arriti të luante në një finale. Ish-numri një i botës dhe fituese e gjashtë titujve Grand Slam, polakja e kontrolloi plotësisht sfidën ndaj Rybakinës, e cila renditet e dyta në botë dhe është kampione në fuqi e Australian Open.
Rybakina u duk e lodhur fizikisht gjatë finales, pasi vetëm një ditë më parë kishte zhvilluar një gjysmëfinale të gjatë ndaj amerikanes Coco Gauff, duke qëndruar në fushë deri pas mesnatës. Kazakja e fitoi atë përballje dhe siguroi biletën për në finale, por nuk arriti të rikuperohej në kohë për duelin ndaj Swiatek.
Ky sukses i ka sjellë polakes edhe një përfitim të rëndësishëm në renditjen botërore. Swiatek do të ngjitet nga vendi i tetë në të pestin në klasifikimin WTA, në prag të US Open.
Triumfi në Toronto i jep Swiatek një shtysë të madhe para turneut të fundit Grand Slam të sezonit, ku ajo synon të rikthehet në nivelet më të larta të tenisit botëror.























