Një muaj paraburgim ndaj një personi që dyshohet për kanosje
Sh.Ç/RTKlive
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me inicialet S.LL., i dyshuar për veprat penale “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe mbajtjes së seancës dëgjimore para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Sipas njoftimit të Gjykatës, kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit është aprovuar, ndërsa masa është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji.
Gjykata ka arsyetuar se paraburgimi është masë adekuate në këtë fazë të procedurës, pasi ka vlerësuar se ekziston “rrezik real që, në rast se i pandehuri lihet në liri, ai të arratiset me qëllim të shmangies dhe fshehjes nga përgjegjësia penale”.
Sipas gjykatës, një rrezik i tillë do të mund ta pamundësonte sigurimin e pranisë së të pandehurit dhe do të pengonte zhvillimin e rregullt dhe efikas të procedurës penale.
“Një rrethanë e tillë do ta pamundësonte sigurimin e pranisë së tij dhe do të pengonte zhvillimin e rregullt dhe efikas të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Gjykata ka bërë të ditur gjithashtu se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.























