Flamuri në duart e kampionëve, delegacioni niset drejt Tarantos|Video
Sh.Çoçaj/RTKlive
(E plotësuar) Kosova ka prezantuar ekipin që do ta përfaqësojë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Me 163 sportistë në 21 sporte, vendi ynë do të ketë delegacionin më të madh deri më tani në këtë ngjarje. Lojërat nisin më 21 gusht, ndërsa do të transmetohen ekskluzivisht në RTK, me mbi 100 orë transmetime.
Kosova niset drejt Lojërave Mesdhetare Taranto 2026 me delegacionin më të madh në historinë e pjesëmarrjes së saj në këtë ngjarje, ndërsa vëmendja tashmë është edhe te Prishtina 2030.
Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë u mbajt sot ceremonia e prezantimit të ekipit kosovar për Taranto 2026, ku morën pjesë kryeministri Albin Kurti, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ministri në detyrë i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, drejtues të KOK-ut, sportistë, trajnerë dhe përfaqësues të federatave.
Kurti dhe Krasniqi ia dorëzuan flamurin e Kosovës medalistëve evropianë të boksit, Donjeta Sadikut dhe Bleron Ademit, të cilët do ta bartin atë gjatë pjesëmarrjes së Kosovës në Taranto.
Kurti: Me krenari drejt “Taranto 2026”, Kosova synon podiumin
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur mbështetjen për ekipin kosovar që do të garojë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Kurti ka vlerësuar punën dhe sakrificën e sportistëve, duke theksuar se pas çdo paraqitjeje të suksesshme qëndrojnë vite të tëra disipline, përkushtimi dhe përgatitjeje.
“Pas secilës medalje, secilës fitore dhe çdo flamuri të Kosovës që është ngritur në arenat ndërkombëtare, qëndrojnë vite pune, sakrifice, discipline dhe besimi”, tha ai.
Kurti theksoi se sukseset e sportistëve kanë bërë që Kosova të përfaqësohet me krenari në arenën ndërkombëtare.
“Sportistët tanë kanë dëshmuar se pavarësisht madhësisë së vendit, mund të kemi rezultate të mëdha në garat më të rëndësishme ndërkombëtare”, theksoi ai.
Ai tha se Kosova, pavarësisht madhësisë së saj, ka dëshmuar se mund të arrijë rezultate të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, një brez i ri sportistësh është gati të hapë një kapitull të ri për sportin kosovar.
Kurti ka falënderuar trajnerët, federatat sportive, Komitetin Olimpik të Kosovës, familjet dhe të gjithë mbështetësit që kontribuojnë në rrugëtimin e sportistëve.
“Shkoni me krenari dhe jepni më të mirën tuaj”, ishte mesazhi i tij për përfaqësuesit e Kosovës, të cilëve u uroi sukses në garat e “Taranto 2026”, me shpresën që flamuri i Kosovës të valëvitet në podium krahas medaljeve.
Krasniqi: Flamuri i Lojërave Mesdhetare vjen në vendin tonë
E presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tha se delegacioni i këtij edicioni shënon një rekord të ri për Kosovën.
“Do të jemi 163 sportistë, 87 meshkuj, 76 femra, të cilët do të garojnë në 21 sporte. Ky është delegacioni më i madh i Kosovës në historinë e pjesëmarrjes sonë në këto ngjarje të mëdha sportive.”
Krasniqi veçoi edhe një tjetër moment historik, pjesëmarrjen e Kosovës për herë të parë në katër sporte ekipore.
“Për herë të parë Kosova do të paraqitet në katër sporte ekipore: futboll, hendboll, volejboll dhe 3x3 basketboll.”
Sipas tij, Taranto 2026 nuk do të jetë vetëm një kapitull i ri sportiv për Kosovën, por edhe pikënisja drejt organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
“Në ceremoninë e mbylljes së Tarantos 2026, flamuri i Lojërave Mesdhetare do t’i dorëzohet Kosovës, sepse Prishtina do të jetë nikoqire e edicionit 2030. Prandaj, në njëfarë mënyre, Taranto është fillimi i rrugëtimit tonë drejt Prishtina 2030”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi ka veçuar edhe kontributin e jashtëzakonshëm të xhudos, duke përmendur trajnerin Driton Kuka dhe kampionen olimpike Majlinda Kelmendi, të cilët kanë ndihmuar që flamuri i Kosovës të ngrihet në podiumet më prestigjioze të botës.
Por momenti më i veçantë do të vijë në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Mesdhetare, kur flamuri i “Taranto 2026” do t’i dorëzohet Kosovës.
Ky do të jetë simboli i kalimit të stafetës te vendi ynë, pasi Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.
Një hap historik për sportin, një përgjegjësi e madhe dhe mbi të gjitha një moment krenarie për Kosovën.
Kuka: Lojërat Mesdhetare po vijnë aty ku jeni rritur
Një mesazh për rrugëtimin e sportit kosovar drejt Prishtina 2030 dha edhe kryetrajneri i xhudos, Driton Kuka, i cili e cilësoi organizimin e Lojërave Mesdhetare në Kosovë si një projekt me rëndësi të veçantë.
“Lojërat Mesdhetare po vijnë aty ku jeni rritur, në lagjen ku janë rritur medaljet olimpike, aty do të mbahen Lojërat Mesdhetare”, tha ai.
Kuka tha se përgatitjet për Prishtina 2030 tashmë kanë nisur dhe se sportistët kosovarë janë dëshmi e punës së bërë ndër vite.
“Projekti ka filluar edhe po ecën me hapa seriozë dhe kjo është shumë me rëndësi për neve, për sportin e xhudos, por normalisht edhe për krejt Kosovën.”
Ai veçoi edhe momentin simbolik që do të ndodhë në fund të Lojërave në Taranto.
“Flamurin e organizimit në fund do ta marrim dhe do ta bëjmë në shtetin e Kosovës”, tha ai.
‘Taranto 2026’, fillon ceremonia e dorëzimit të flamurit për ekipin e Kosovës
Ka filluar ceremonia shtetërore, ku do të prezantohet ekipi i Kosovës për Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” si dhe do të bëhet dorëzimi i flamurit për delegacionin që do të marrë pjesë në këtë ngjarje të madhe sportive.
Në ceremoni po marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, përfshirë kryeministrin në detyrë Albin Kurtin.
Në Taranto, Kosovën do ta përfaqësojnë 163 sportistë, prej tyre 87 meshkuj dhe 76 femra, të cilët do të garojnë në 21 sporte.
Për herë të parë në historinë e pjesëmarrjes së saj në Lojërat Mesdhetare, Kosova do të garojë edhe në katër sporte ekipore: futboll, volejboll, hendboll dhe basketboll 3x3.
Bilanci i Kosovës në dy edicionet e kaluara është mjaft pozitiv. Sportistët kosovarë kanë fituar gjithsej 10 medalje, prej të cilave 9 në xhudo dhe 1 në boks.























