Miniq: Serbia pa marrëdhënie të qëndrueshme me shumicën e fqinjëve
Anamari Repiq, RTK/Beograd
Ish-kryetarja e Lëvizjes Evropiane në Serbi dhe ekspertja për çështje evropiane dhe marrëdhënie rajonale, Jelica Miniq, deklaroi për RTK-në se autoritetet në Beograd nuk kanë ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me shumicën e vendeve fqinje dhe vazhdojnë të balancojnë ndërmjet Perëndimit, Rusisë dhe Kinës. Ajo paralajmëron se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë praktikisht është ngrirë, ndërsa pasojat e politikave të Beogradit dhe Prishtinës i bartin më së shumti serbët në Kosovë.
Në kohën kur po shtohen kritikat se Serbia, me veprimet e saj, po kontribuon në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, Jelica Miniq nga Lëvizja Evropiane në Serbi vlerëson se politika e Beogradit po ndikon negativisht në marrëdhëniet brenda rajonit dhe se Serbia ende nuk e ka përcaktuar qartë orientimin e saj të politikës së jashtme.
“Kur flasim për Ballkanin Perëndimor, si një rajon i përcaktuar qartë, me të cilin operohet si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në NATO, Serbia objektivisht luan rol destabilizues. Politika e jashtme e çdo shteti fillon nga kufijtë e tij, ndërsa imazhi i tij përcaktohet para së gjithash nga marrëdhëniet me fqinjët”, tha Miniq.
Sipas saj, mbështetja te partnerët e largët globalë nuk mund t’i sigurojë një vendi stabilitet të qëndrueshëm, sepse ai ndërtohet para së gjithash përmes marrëdhënieve të mira me fqinjët e drejtpërdrejtë.
“Fakti që një shtet është klient i një partneri të largët, përtej oqeanit, amerikan apo aziatik, nuk i siguron atij stabilitet të qëndrueshëm. Stabiliteti ndërtohet përmes marrëdhënieve të mira fqinjësore, ndërsa Serbia pikërisht këtu përballet me një problem të madh”, vlerësoi Miniq.
Përkeqësimi i marrëdhënieve me fqinjët
Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare po paralajmërojnë gjithnjë e më shpesh se Ballkani Perëndimor ende nuk është stabilizuar në mënyrë të qëndrueshme dhe se politika e autoriteteve në Beograd po kontribuon në tensionet rajonale. Së fundmi, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi se regjimi i presidentit Aleksandar Vuçiq është burimi kryesor i destabilitetit në Serbi dhe në rajon.
Miniq thotë se politika e Beogradit ndikon veçanërisht në marrëdhëniet me Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi, por edhe në përkeqësimin e raporteve me Kroacinë. Sipas saj, Serbia dhe Kroacia po kontribuojnë në tensionet politike në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa Beogradi njëkohësisht po përpiqet të ndikojë në zhvillimet politike në Malin e Zi, i cili po përparon në procesin e integrimit evropian.
Ajo vlerëson se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë janë më të këqija sesa dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet më parë. Në vend të bashkëpunimit dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura, marrëdhëniet vazhdojnë të rëndohen nga akuzat e ndërsjella dhe rikthimi i vazhdueshëm te konfliktet e së kaluarës.
Miniq paralajmëron se një politikë e tillë nuk rrezikon vetëm stabilitetin rajonal, por e vështirëson edhe pozitën e komuniteteve serbe në vendet fqinje.
“Serbia shpesh harron se ishte ajo, para së gjithash, që nisi luftërat në ish-Jugosllavi dhe vazhdimisht e paraqet veten si viktimë. Në të njëjtën kohë, ajo e keqpërdor popullsinë serbe që jeton në vendet fqinje, duke e vendosur atë në një pozitë shumë të pafavorshme”, tha Miniq.
Sipas saj, pozita e pakicës serbe në secilin vend fqinj varet edhe nga cilësia e marrëdhënieve dypalëshe të Serbisë me atë shtet. Hapja e vazhdueshme e çështjeve të pazgjidhura bëhet kështu një barrë shtesë për pjesëtarët e komunitetit serb.
“E gjithë kjo ndoshta aktualisht nuk shkakton probleme të mëdha, por po grumbullohet në një lloj arkivi që një ditë do të na kthehet si goditje. Ky është arkivi që po e krijon regjimi i tanishëm”, paralajmëroi Miniq.
Dialogu Kosovë–Serbi praktikisht i ngrirë
Miniq rikujton se Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s dhe se i kanë harmonizuar politikat e tyre të jashtme dhe të sigurisë me politikën e Bashkimit Evropian. Sipas saj, anëtarësimi në strukturat e përbashkëta të sigurisë ua lehtëson rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Ajo veçon përparimin e Malit të Zi, por edhe mundësinë që Shqipëria ta përshpejtojë procesin e integrimit evropian. Për shkak të pozitës së tyre strategjike në Detin Adriatik, përparimi i këtyre vendeve ka rëndësi më të gjerë rajonale, thekson Miniq.
“Serbia nuk po ndjek atë që është më e rëndësishme për qytetarët e saj, e kjo është një jetë e qëndrueshme, paqësore dhe e begatë. Kjo arrihet duke zgjidhur marrëdhëniet me fqinjët dhe, në të njëjtën kohë, duke mbrojtur pozitën e pakicës serbe në ato vende”, theksoi Miniq.
Serbia, megjithatë, vazhdon të balancojë ndërmjet Perëndimit, Rusisë dhe Kinës. Marrëdhëniet me Moskën janë rënduar më tej nga lufta në Ukrainë, çështja e Industrisë së Naftës të Serbisë dhe kërkesat e Bashkimit Evropian që Beogradi ta harmonizojë më qartë politikën e jashtme me atë të Unionit.
Miniq thotë se Serbia, përveç marrëdhënieve të afërta me Hungarinë nën ish presidentin Viktor Orbanit, nuk i ka kushtuar vëmendje të mjaftueshme përmirësimit të bashkëpunimit me fqinjët tradicionalisht të rëndësishëm, si Rumania dhe Bullgaria.
Si një nga burimet më serioze të destabilitetit rajonal, ajo veçon marrëdhëniet e pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pavarësisht ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian dhe angazhimit të përfaqësuesit të tij të posaçëm, Peter Sorensen, bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sipas saj, praktikisht janë ngrirë.
“Dialogu nuk po zhvillohet, ndërsa marrëveshjet e arritura nuk po zbatohen. Mendoj se për këtë, në këtë moment, përgjegjësinë kryesore e mbajnë udhëheqësit politikë. Nuk ka as kthim të serbëve në institucionet e Kosovës, nga të cilat i tërhoqi Serbia, ata nuk janë dëbuar nga autoritetet e Kosovës”, tha Miniq.
Procesi i normalizimit është rënduar më tej nga sulmi në Banjskë, për të cilin, pothuajse tri vjet më vonë, ende nuk ka epilog gjyqësor.
“Janë identifikuar ata që e udhëhoqën dhe e organizuan sulmin, si dhe ekzekutuesit e drejtpërdrejtë, por gjithçka ka mbetur në vendnumëro. Pasojat e një politike të tillë po i paguan popullsia serbe në Kosovë. Në thelb, kjo është një politikë e pacipë e regjimit në Serbi ndaj qytetarëve serbë në Kosovë”, vlerësoi Miniq.
Ajo thekson se pasiguria e vazhdueshme, arrestimet dhe incidentet e herëpashershme të dhunshme po e përkeqësojnë më tej situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë. Miniq vlerëson se Beogradi duhet të punojë seriozisht dhe me durim për përmirësimin e pozitës së komunitetit serb, pa veprime të dhunshme dhe me më shumë hapje ndaj komunitetit shumicë shqiptar.
Sipas saj, normalizimi i marrëdhënieve duhet të paraqitet si një proces që mund t’u sjellë përfitime si serbëve, ashtu edhe shqiptarëve në Kosovë.
Qasje të ndryshme ndaj Kosovës dhe Shqipërisë
Miniq vë në dukje edhe dallimin ndërmjet politikës së Beogradit ndaj Kosovës dhe marrëdhënieve të tij me Shqipërinë. Ndërsa ndaj Prishtinës vazhdon retorika konfliktuoze, marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve të Serbisë dhe Shqipërisë kanë qenë dukshëm më të qëndrueshme.
“Në Serbi pothuajse asnjëherë nuk do të dëgjoni kritika ndaj Shqipërisë. Kjo praktikisht është një temë e ndaluar, për Shqipërinë ose heshtet, ose nuk thuhet asnjë fjalë e keqe. Krijohet përshtypja se ekziston një marrëveshje e heshtur ndërmjet autoriteteve të Serbisë dhe Shqipërisë, ndoshta edhe ndonjë aranzhim afatgjatë për të cilin publiku nuk di asgjë. Kjo mund të shihej edhe përmes nismës ‘Open Balkan’, për sa kohë që ajo funksiononte”, tha Miniq.
Sipas vlerësimit të saj, nisma “Open Balkan” kontribuoi në përmirësimin e komunikimit ndërmjet dy vendeve, por nuk arriti të shndërrohej në një kornizë të qëndrueshme të bashkëpunimit rajonal. Pas ndryshimit të rrethanave ndërkombëtare, ajo e humbi rëndësinë politike dhe praktikisht u shua.
Dialogu strategjik me SHBA-në dhe mbijetesa politike e pushtetit
Ndërsa dialogu me Kosovën dhe integrimi evropian po ngecin, autoritetet në Beograd po përpiqen të hapin një hapësirë të re bashkëpunimi me Uashingtonin. Fillimi i dialogut strategjik ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara është paraqitur si një hap i rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Miniq vlerëson se autoritetet në Serbi i shohin marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kryesisht përmes prizmit të situatës së brendshme politike dhe mbijetesës së tyre në pushtet.
“Autoritetet në Serbi kujdesen para së gjithash për mbijetesën e tyre, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë një partner shumë i rëndësishëm për këtë. SHBA-ja ka treguar se në Ballkanin Perëndimor është e interesuar kryesisht për ekonominë dhe sigurinë, gjë që u përshtatet autoriteteve në Serbi. Prandaj, temat kryesore të dialogut strategjik janë investimet, energjetika, siguria dhe ndërlidhja digjitale”, tha Miniq.
Sipas saj, përmes bashkëpunimit me Uashingtonin, Beogradi po përpiqet të tërheqë investime, të forcojë legjitimitetin ndërkombëtar dhe të zbusë pasojat e ngecjes në rrugën evropiane. Megjithatë, dialogu strategjik në vetvete nuk dëshmon se Serbia po orientohet gjeopolitikisht drejt Perëndimit.
“Pas një kohe të gjatë, Serbia ka bërë një përparim të caktuar në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por një afrim i tillë do të jetë i vështirë të harmonizohet në planin afatgjatë me politikën e dyerve gjerësisht të hapura ndaj aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, si Rusia dhe Kina”, përfundoi Miniq.























