Takimi LVV-LDK shihet si shpresë për kompromis dhe shmangien e zgjedhjeve
Arbresha Berisha / RTK
Takimi i djeshëm mes LVV-së dhe LDK-së po interpretohet si shpresë për funksionalizimin e institucioneve. Njohës të fushës thonë se dështimi i arritjes së një marrëveshjeje mes këtyre dy subjekteve, e rikthen vendin përballë skenarit të zgjedhjeve të reja. Në këtë situatë, analistët kërkojnë që t’i jepet një epilog daljes nga ngërçi politik, pasi vlerësojnë se zgjatja e krizës politike sjell pasoja të mëdha për vendin.
Përballë një ngërçi të zgjatur politik, takimi i fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike po shihet si shpresë drejt gjetjes së një kompromisi politik për shmangien e zgjedhjeve të reja.
Analistët politikë vlerësojnë se, duke i parë qëndrimet e PDK-së, Lidhja Demokratike mbetet opsionii vetëm për t’i hapur rrugë stabilitetit institucional.
Por, të ata shprehin rezerva nëse kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, do ta ketë mbështetjen e të gjithë deputetëve të tij, për një marrëveshje me LVV-në, e për pozitën e presidentit.
Asnjëra palë nuk foli për emra konkretë, por thanë se ata do të diskutohen në parti e pastaj në takimin e radhës mes tyre.
Në takimin e fundit Kurti-Abdixhiku, palët u shprehën se ka vullnet që dy partitë të arrijnë një pajtim për ta gjetur një emër konsensual për presidentin.























