PDK dhe Aleanca kërkojnë konstituimin e institucioneve
Arbresha Berisha / RTK
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës janë mbledhur sot në sallën e Kuvendit të Kosovës, një ditë pasi u kërkua vazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit.
Edhe pse për sot nuk është thirrur seancë, deputetët e këtyre dy partive janë paraqitur në Kuvend rreth orës 11:00.
Në shenjë proteste, deputetët e PDK-së kanë vendosur para ulëseve të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje disa letra me mesazhin: “Respektoni Kushtetutën, konstituojeni Kuvendin”.
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës kanë kërkuar që parlamenti të konstituohet sa më shpejt.
Sipas PDK-së, Kuvendi nuk mund të jete peng i askujt.
"Neve po na pamundësohet të ushtrojmë funksionin tonë. Thirrja do të jetë e ripërtërishme ndaj Avni Deharit që të vijnë në Kuvend dhe mos ta vazhdojnë këtë betejë të bllokimit të Kuvendit. Kjo sjellje politike duhet të ndalohet sepse Kushtetuta duhet të jetë mbi secilin deputetë të zgjedhur. Dhe nuk mund të jetë as Albin Kurti dhe asnjë deputetë mbi institucionet. Kjo sjellje e tyre po mundohet të kthehet në sjellje normale dhe kjo është e pafalshme. Bëj thirrje te Vetëvendosje që të vinë në Kuvend dhe të zbatojnë rregulloren pasi ata tashmë janë të njohur për moszbatim të rregullores së Kuvendit dhe institucioneve. Republika e Kosovës është shumfishë më e madhe sesa egoja e Albin Kurtit", ka deklaruar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
Tutje Deliu ka ripërsëritur se nuk do të takohen më me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi theksoi se Kuvendi duhet të konstituohet sa më shpejt në mënyrë që të trajtojë shumë çështje te cilat prekin jetën e qytetarëve.
"Ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur. Janë shumë tema që duhet të zgjidhen nga spektri politik. Kuvendi e institucionet duhet të formohen sepse Ligji i Shtetësisë duhet të zhbëhet. Duhet të formohen sepse çmimi i produkteve të shportës familjare ka kaluar në ekstrem. Duhet të formohen sepse në Kosovë janë mijëra të rinj që duan të punësohen. Kuvendi e institucionet duhet të formohen sepse shumë qytete e fshatra janë pa energji elektrike. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Ne si Aleancë e përkrahim dhe mbështesim çdo punë të mirë në interes të qytetarëve", ka shtuar ajo.

























