Cancelo zyrtarisht rikthehet te Barcelona: Është ëndrra ime
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Joao Cancelo është rikthyer zyrtarisht te Barcelona, duke e përshkruar transferimin te gjiganti katalanas si realizimin e një ëndrre.
Mbrojtësi portugez ka nënshkruar si lojtar i lirë pas largimit nga Al-Hilal, duke pranuar edhe një ulje të konsiderueshme të pagës për t’u rikthyer në “Camp Nou”.
Për Cancelo bëhet fjalë për aventurën e tretë me Barcelonën, pasi më parë ishte pjesë e skuadrës katalanase në dy periudha huazimi, në sezonet 2023/24 dhe 2025/26.
32-vjeçari portugezi pritet të ketë rol të rëndësishëm në formacionin e Hansi Flickut dhe të jetë zgjedhja e parë në krahun e majtë të mbrojtjes. Ai mund të debutojë që në ndeshjen hapëse të sezonit ndaj Elches të dielën.
Duke folur për rikthimin e tij, Cancelo nuk e fshehu lumturinë për transferimin.
“Është ëndrra ime. Jam aty ku dua të jem dhe jam shumë i lumtur. E dua këtë klub dhe identifikohem me të. Ndihem i dashur këtu dhe premtoj se do të jap gjithçka për këtë fanellë”, deklaroi Cancelo.
“Dua të ndihmoj skuadrën t’i arrijë objektivat në fund të sezonit”, shtoi ai.
Cancelo foli edhe për rikthimin e Rodrit te Barcelona, me të cilin ka qenë bashkëlojtar te Manchester City. Mesfushori spanjoll gjithashtu iu bashkua katalanasve këtë javë.
“Rodri është një nga lojtarët më të mirë me të cilët kam luajtur ndonjëherë. Ai sjell shumë në skuadër, është shumë i mirë dhe kam marrëdhënie të shkëlqyera me të. Ai do të jetë një pjesë kyçe e suksesit tonë”, u shpreh portugezi.
Barcelona e nis sezonin e ri si kampione në fuqi e La Ligës dhe me përforcime të rëndësishme në skuadër, duke synuar të mbrojë titullin dhe të luftojë për trofetë e tjerë.























