Pa Rodrin, Man City e ka vështirë ta fitojë titullin, thotë Barry
F.Bytyqi/RTKLive
Ish-mesfushori i Premier League, Gareth Barry, beson se largimi i Rodrit nga Manchester City e ka bërë dukshëm më të vështirë për skuadrën angleze luftën për titullin e kampionit.
Rodri është transferuar zyrtarisht te Barcelona, ku ka nënshkruar kontratë katërvjeçare, ndërsa City arkëtoi rreth 65 milionë funte nga largimi i tij.
Spanjolli largohet nga “Etihad” pas një periudhe të jashtëzakonshme, gjatë së cilës fitoi trofe të rëndësishëm, përfshirë dy tituj të Premier League. Tashmë, sipas Barryt, mungesa e tij do të ndikojë ndjeshëm në ambiciet e Manchester Cityt.
“Edhe para largimit të Rodrit, duke marrë parasysh ndryshimet në stafin e Cityt, do të ishte e vështirë që ta rrëzonin Arsenalin nga pozita ku ndodhet aktualisht”, deklaroi Barry.
“Me largimin e Rodrit, mendoj se tashmë ka edhe më pak kërcënim për Arsenalin. Jam i sigurt se City do të afrojë një ose dy lojtarë për ta përmirësuar skuadrën dhe ndoshta për ta zëvendësuar atë, gjë që do t’i ndihmonte Andersonin dhe lojtarët e tjerë të mesfushës”, shtoi ai.
Barry mendon se Manchester City tashmë ka më pak gjasa për ta fituar titullin.
“Do të thosha se kanë më pak shanse për ta sfiduar Arsenalin dhe për ta fituar titullin tani që Rodri është larguar. Nuk do të them se e kanë dorëzuar titullin, por gjithçka është bërë shumë më e vështirë”, u shpreh ish-futbollisti.
Në anën tjetër, Arsenali është përforcuar me Bruno Guimaraesin, i cili u transferua nga Newcastle United. Barry e cilëson këtë lëvizje si një sinjal të fuqishëm për rivalët e Premier League.
“Guimaraes është një transferim i madh. Të marrësh kapitenin dhe një nga lojtarët kryesorë të një rivali të drejtpërdrejtë është një mesazh i madh për Premier League. Tregon se lojtarët duan të luajnë për Arsenalin”, tha Barry.
Ai beson se mesfushori brazilian do të ketë menjëherë rol të rëndësishëm te kampionët.
“Ai nuk do të qëndrojë në stol, por do të futet direkt në formacion për t’u bërë një tjetër yll në një mesfushë tashmë shumë të fortë. Është një alternativë tjetër e madhe, dhe kjo është pikërisht ajo që të duhet për të konkurruar në të gjitha frontet. Ai është tashmë një lojtar shumë i rëndësishëm për Arsenalin”, përfundoi Barry.
Manchester City e nis sezonin e ri në Premier League në udhëtim ndaj Bournemouthit, ndërsa Arsenali përballet me Coventry Cityn në “Emirates Stadium”.























