Krasniqi: Kjo humbje dhemb, në Andorrë mund të bëjmë më mirë
F.Bytyqi/RTKLive
Kapiteni i Dritës, Besnik Krasniqi, në një prononcim për RTK, ka vlerësuar se barazimi 2-2 ndaj Inter Escaldes është rezultat që dhemb për skuadrën gjilanase, pasi sipas tij, Drita e kishte dy herë epërsinë në duart e saj.
Drita dhe Inter Escaldes u ndanë në barazim 2-2 në ndeshjen e parë të ‘play-off’-it për Ligën e Konferencës, të zhvilluar të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pas përfundimit të takimit, Krasniqi ka thënë se skuadra duhet të shmangë gabimet që i ka bërë në këtë përballje.
“Kjo humbje dhemb më shumë pasi dy here e patëm rezultatin në dorë. Nuk duhet të lëshojmë këso gabime dhe po na ndodhin shpesh. Kam besim tek skuadra dhe besoj se mund të bëjmë më mirë në ndeshjen kthyese”, ka thënë Krasniqi.
Kapiteni i Dritës ka pranuar se goli i parë i pranuar ishte i shmangshëm, ndërsa ka kërkuar nga skuadra që të punojë më shumë para ndeshjes së kthimit.
“Të them të drejtën goli i parë ishte i lehtë, por ndonjëherë futbolli është i papritur dhe ne duhet të punojmë që në ndeshjen e kthimit të mos na përsëritën gabimet që i kemi bërë”, ka theksuar Krasniqi.
Megjithatë, ai mbetet optimist për mundësitë e Dritës në ndeshjen e kthimit, duke vlerësuar se skuadra ka futbollistë profesionistë dhe cilësi të mjaftueshme për të marrë rezultat pozitiv në Andorrë.
Ndeshja e kthimit ndërmjet Inter Escaldes dhe Dritës do të zhvillohet pas një jave në Andorrë, ku do të përcaktohet skuadra që do të avancojë në fazën e ardhshme të Ligës së Konferencës.























