Hull City trondit Man Unitedin, ‘Djajtë e Kuq’ nisin sezonin me humbje
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Hull City ka bërë një rikthim të bujshëm në Premier League, duke mposhtur Manchester Unitedin me rezultat 2-0 në ndeshjen e parë të sezonit për të dyja skuadrat.
“Peshqit” zhvilluan një paraqitje të jashtëzakonshme në rikthimin e tyre në elitën angleze, për herë të parë që nga viti 2017. Për më tepër, Hull e mposhti Unitedin në kampionat për herë të parë që nga viti 1974.
Edhe pse Manchester United shihej si favorit para ndeshjes, vendasit e nisën takimin pa frikë dhe krijuan disa raste të rrezikshme. Oli McBurnie rrezikoi me kokë, ndërsa Ryan Giles detyroi portierin kundërshtar të intervenonte.
Presioni i Hull Cityt u shpërblye në minutën e parë të golit, kur Semi Ajayi realizoi me një goditje të saktë pas një aksioni nga goditja e dënimit, duke ndezur atmosferën në stadium.
United tentoi të reagojë, me Patrick Dorgun që pati dy mundësi të mira pas asistimeve nga Bruno Fernandes dhe Harry Maguire, por nuk arriti të gjente kuadratin.
Në anën tjetër, Hull vazhdoi të ishte i rrezikshëm dhe dyfishoi epërsinë para pushimit. Nobel Mendy përfitoi nga një ekzekutim perfekt i goditjes së lirë nga Regan Slater dhe e dërgoi topin në rrjetë për 2-0.
Në pjesën e dytë, trajneri i Manchester Unitedit, Michael Carrick, aktivizoi Marcus Rashfordin në përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes. Megjithatë, “Djajtë e Kuq” nuk arritën të gjenin zgjidhje përballë një mbrojtjeje të organizuar të Hullit.
Vendasit vazhduan të rrezikonin edhe në kundërsulme, ndërsa Mohamed Belloumi dhe Cody Drameh iu afruan golit të tretë.
Manchester United pati vështirësi të krijonte raste të pastra dhe në fund u detyrua ta pranojë një humbje të rëndë në startin e kampionatit.
Kjo ishte hera e parë që nga viti 1973 që United e humbet ndeshjen hapëse të Premier League në dy sezone radhazi.
Për Hull Cityn, ndërkohë, fitorja përfaqëson një rikthim ëndrrash në Premier League dhe një sinjal të fortë për rivalët në elitën e futbollit anglez.























