Vdekjet e punëtorëve në KEK, sindikalistët paralajmërojnë protesta
Valjete Shala/RTK
32 vjeçari Arbenit Ahmeti ishte viktima e tretë brenda Korporatës Energjetike të Kosovës, i cili humbi jetën në vendin e punës vetëm disa ditë më parë.
Tragjedia ndodhi vetëm tri ditë pasi një tjetër punëtor kishte pësuar aksident brenda korporatës. Kështu nga 15 korriku, e deri më 20 gusht, në KEK kanë humbur tri jetë njerëzish.
Rastet e vdekjeve të punëtorëve, për sindikalistëve, përbëjnë shqetësim serioz, prandaj u paralajmërua protestë.
“Të mërkurën në ora 8:00 të mëngjesit Sindikata e re e KEK-ut sëbashku me të gjithë punëtoret në të tri divizionet do të proteston, dhe do të solidarizuar me familjet e punëtorëve që kanë humbur jetënnë vendin e tyre te punës. Ne ngremë shqetësimin për këto raste që kanë ndodhur, sepse janë raste të rënda. Ata kanë ardhur për të punuar, për të dhënë djersën dhe maksimumin e tyre, në mënyrë që Kosova të ketë dritë”, deklaroi Xhelal Jashari, kryetar i Sindikatës së Re të KEK-ut.
“Ne kërkojmë që menaxhimi të bëhet, të ndryshohet diskursi i menaxhmentit, për arsye se ky lloj menaxhimi i deklason punëtorët në njëfarë forme, edhe punëtorët nuk e kanë guximin të shprehin në mënyrë të drejtë se ka vende që nuk guxojnë apo janë të rrezikuar për me hyrë”, tha Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindikatës .
Ndërkohë, në kuadër të veprimeve hetimore Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ndaluar një person për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Lidhur me rastin, prokurori i çështjes ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, i cili kjo është aprovuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nga Bordi dhe Menaxhmenti i KEK-ut që urgjentisht të sigurojnë hetim administrativ të rastit dhe llogaridhënie të plotë në rast se konstatohet neglizhencë në punë apo shkelje e protokolleve të shëndetit dhe sigurisë, si dhe veprime emergjente për të rivlerësuar masat e sigurisë së punëtorëve dhe për të garantuar zbatimin rigoroz të tyre.
Kurse nga Bordi dhe Menaxhmenti i KEK-ut, deklaruan se do ta formojë një Task Forcë për Sigurinë Industriale dhe Shëndeti në Punë, në përbërjen e së cilës do të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm të fushës.























