Retorika hegjemoniste e Vuçiqit, njohësit: Shpërqendrim nga krizat e brendshme
Visar Shatrolli|RTK
Nga rajoni i Toplicës, vend ky i dëbimeve masive dhe spastrimit etnik të shqiptarëve autoktonë, Aleksandër Vuçiç ka zgjedhur të përsërisë skenarin e vjetër të provokimeve. Gjatë një varg vizitash në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, presidenti serb ka shpërndarë porositë e tija të ashpra hegjemoniste, duke përdorur sërish Kosovën si kartë kryesore për përfitime të brendshme politike.
Duke përshkuar fshatrat e Luginës me shumicë serbe, diskursi nacionalist i Beogradit u reflektua menjëherë te banorët lokalë. Gjatë një bashkëbisedimi me Vuçiçin, një grua serbe ka përdorur gjuhë nxitëse dhe përçmuese ndaj shqiptarëve, duke u ankuar se serbët po ndihen pakicë dhe se shqiptarët po refuzojnë të flasin gjuhën serbe.
Në këtë kontekst, ata që merren me luftë hibride dhe çështje të sigurisë thonë se kjo retorikë e Vuçiçit nuk kufizohet vetëm te deklaratat nacionaliste. Ajo ndërtohet mbi një narrativë të vazhdueshme të viktimizimit, ku çdo pretendim apo pakënaqësi e serbëve përdoret për të krijuar imazhin e një komuniteti të kërcënuar dhe të një Serbie që, sipas tij, duhet të ndërhyjë si mbrojtëse e tyre.
“Ideja është prapë te kjo narrativë e viktimizimit, ku në çdo situatë problemet e serbëve mundohet me i paraqitë si probleme që po e dëmtojnë komunitetin serb. Ai këtë e përdor jo vetëm në Serbi, po edhe në Malin e Zi, edhe në Bosnjë, pra ku ka serbë, po edhe në Kosovë, ku është komuniteti serb gjithmonë mundohet me i paraqitë ata si viktimë”, tha Festim Rizanaj.
Sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, ky rikthim i gjuhës agresive ndaj Kosovës nuk është i rastësishëm. Ata vlerësojnë se retorika hegjemoniste e Vuçiçit lidhet ngushtë me situatën e tensionuar të brendshme politike në të cilën ndodhet Serbia, ku pushtetit i duhet të zhvendosë vëmendjen e opinionit publik nga problemet e veta të brendshme.
“Tregon një vazhdimësi të presionit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Jo rastësisht kjo po ndodh në një moment kur çdo gjë mund të pritet nga një president i tillë i cili i ka humbur vlerat në këtë kuptimin e vet që ka presionin e brendshëm politik”, tha Nuredin Ibishi.
Pas kësaj vizite të Vuçiçit ka reaguar kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, duke kërkuar trajtim të barabartë të shqiptarëve nga institucionet e Serbisë. Sinani tha se investimet në çdo pjesë të komunës janë të mirëseardhura, por shteti nuk mund të ketë standarde të ndryshme për qytetarët. Ajo theksoi se ndërsa në disa vendbanime promovoheshin investime të shpejta, shqiptarët e Preshevës sipas saj presin me vite për projekte në shkolla, çerdhe, rrugë dhe infrastrukturë.























