Një person humb jetën në aksident në autostradë në Prizren
B.H./RTKlive
Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku në segmentin e autostradës Prizren–Vërmicë.
Lajmin për RTK-në e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Bajram Krasniqi.
Sipas tij, në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore, janë ftuar edhe ekipet mjekësore.
“Policia është njoftuar për një aksident trafiku që kishte ndodhur në autostradë, km i 29-të nga Vërmica. Në aksident janë përfshirë dy automjete, një kamion dhe një veturë. Në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore, janë thirrur edhe ekipet mjekësore. Si pasojë e aksidentit, sipas ekipit mjekësor, një person ka qenë pa shenja jete, kurse dy të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë bartur për trajtim mjekësor”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka bërë të ditur se policia është duke i vazhduar hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.























