Vdes Ratko Mlladiq, ish-gjenerali serb i dënuar për gjenocid
BKT
Lajme

Vdes Ratko Mlladiq, ish-gjenerali serb i dënuar për gjenocid

N.M. /RTKlive

Ratko Mlladiq, ish-gjenerali i serbëve të Bosnjës, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera lufte gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, ka vdekur në qendrën e paraburgimit të Kombeve të Bashkuara në Hagë.

Lajmin për vdekjen e tij e ka raportuar televizioni serb Informer, ndërsa më pas e ka konfirmuar edhe transmetuesi shtetëror serb RTS, raporton Reuters.

Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për rolin e tij në luftën e viteve 1992–1995 në Bosnjë e Hercegovinë.

I njohur si “Kasapi i Bosnjës”, Mlladiq u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të UNPROFOR-it.

Ai u mbajt përgjegjës, ndër të tjera, për vrasjen e rreth 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë në vitin 1995, në një nga krimet më të rënda të kryera në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë e dënoi Mlladiqin me burgim të përjetshëm, pasi e shpalli fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës.

Vendimi përfundimtar ndaj tij u konfirmua në vitin 2021 nga Mekanizmi Rezidual Ndërkombëtar për Tribunalet Penale, duke e lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm.


MË SHUME NGA Lajme