Majko: Deklaratat e Spajiqit për destabilizimin e Malit të Zi janë shqetësuese
A.B/RTKLive
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiq, për aktivitete të koordinuara hibride nga dy shtete fqinje, me synim destabilizimin e Malit të Zi.
Majko i ka cilësuar shqetësuese deklaratat e Spajiqit, ndërsa ka theksuar se më shqetësuese janë aludimet e raportuara nga media malazeze “Vijesti”, sipas të cilave dy vendet e përmendura mund të jenë Serbia dhe Shqipëria.
Sipas Majkos, deklaratat e kryeministrit malazez vënë në pikëpyetje edhe Shqipërinë, për të cilën ai thotë se nuk ka “dashuri” gjeopolitike për Serbinë.
Ai ka kërkuar që deklarata të tilla të shoqërohen me hapa zyrtarë, si nota diplomatike apo paraqitje në strukturat e NATO-s.
“Mal i Zi duhet të japë shpjegime nëse jemi përballë një skandali rajonal, ku një vend i NATO-s po ‘sulmon’ një anëtar tjetër të kësaj aleance. Në të kundërtën, duhet të pranojë se janë komente emocionale, të paprovuara në rrjetet sociale”, ka shkruar Majko.
Ai ka vlerësuar se Spajiq ka dalë përtej qëndrimeve tradicionale të politikës së jashtme malazeze, duke e vendosur vendin në një “udhëkryq”.
Majko ka theksuar se tashmë zgjedhja u takon strukturave shtetërore të Malit të Zi dhe kryeministrit Spajiq.























