AFA mbështet Bekim Sejdiun për president të Kosovës
N.M. /RTKlive
Organizata “Albanians for America” 9AFA0 ka mirëpritur marrëveshjen ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për nominimin e Prof. Dr. Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.
Në një deklaratë, organizata ka vlerësuar përvojën akademike dhe profesionale të Sejdiut, si dhe angazhimin e tij ndaj shtetësisë së Kosovës, vlerave demokratike dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të vendit.
“Albanians for America” ka shprehur mbështetje për nominimin e Sejdiut dhe u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që procesin ta trajtojnë mbi bazën e interesit shtetëror dhe nevojës për institucione të qëndrueshme, demokratike e të besueshme.
Sipas kësaj organizate, Kosovës i nevojitet një president që bashkon, përfaqëson dhe mbron interesat shtetërore, ndërsa forcon partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe orientimin euroatlantik të vendit.
Në fund, “Albanians for America” u ka kërkuar deputetëve që, pa humbur kohë, të përmbushin përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe të votojnë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.























