Sot filloi viti i ri shkollor
N.M. /RTKlive
Sot, në të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, filloi procesi mësimor për vitin shkollor 2026/2027.
Ndërkohë, edhe këtë vit ka vazhduar procesi i subvencionimit të teksteve shkollore dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova, për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës thotë se ditë më parë ka siguruar që katalogu zyrtar i teksteve shkollore, së bashku me çmimet e përcaktuara në të, t’u përcillet në formë fizike të gjitha librarive në vend.
Sipas MASh-it, nga monitorimi në terren rezulton se pjesa dërrmuese e librarive janë përgatitur për shitjen e teksteve shkollore, ndërsa pjesa tjetër pritet të rifillojë shitjen shumë shpejt.
Ministria e Arsimit premton se do të vazhdojë ta përcjellë situatën në terren, me qëllim që të sigurohet zbatimi i katalogut dhe qasja e nxënësve në tekstet shkollore me çmimet e përcaktuara.























