Islami: Spiunazhi mbetet rrezik real për sigurinë e Kosovës
A.B/RTKLive
Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, ka thënë se ndarja e informacionit me institucionet shtetërore dhe vetëdijesimi i qytetarëve janë ndër mbrojtjet më të mira të Kosovës ndaj veprimtarisë së spiunazhit.
Islam ka theksuar se spiunazhi është një veprimtari e lashtë, ndërsa Kosova, sipas tij, është përballur me presione dhe shantazhe të kësaj natyre, veçanërisht gjatë dekadave të fundit.
"Ndarja e informacionit me institucionet e shtetit dhe vetëdijesimi ynë sot është mbrojtja më e mire e vendit nga spiunazhi. Veprimtaria e spiunazhit nuk ka lindur nga OZNA (njihet si një organizatë represive dhe terrorizuese) e as me UDB-a serbe. Kjo është një zeje e lashtë sa vetë njerëzimi, por ne si popull i Kosovës ëjemi përballur egërsisht me presionet dhe shantazhet e saj, sidomos në pesëdhjetë vitet e fundit", ka shkruar ai në facebook.
Sipas tij, ky shërbim sekret serb la gjurmë të thella edhe pas përfundimit të luftës dhe pas ndërtimit të shtetit tonë modern.
"Arrestimet dhe dënimet për spiunazh gjatë dy viteve të fundit tregojnë qartë dy gjëra:
-Shteti i Kosovës po i lufton pa mëshirë të gjithë ata që orientohen kundër interesit tonë kombëtar. Veprimtaria e spiunazhit është një rrezik real dhe tejet i madh për sigurinë tone kombëtare sepse mund të bëheni bashkëpunëtor pa e ditur as vet. Shtetet jo mike janë të interesuara të gjejnë bashkëpunëtorë në çdo fushë: në ekonomi, shëndetësi, kulturë, art, në gazetari etj. Një informator ose agjent mund të bëhet pjesë e lojës pa qenë fare i vetëdijshëm se po punon kundër vendit të tij! Qëllimi i armikut është i qartë: të krijojë narrativa të rreme se Kosova nuk është një shtet normal për të jetuar dhe të nxisë pakënaqësi e mosbesim ndaj institucioneve tona shtetërore", tha ai.
Duke shtuar duhet bërë vigjilencë. "Nëse vëreni diçka të dyshimtë nga persona të caktuar që tentojnë të marrin informacione nga ju, apo që ju orientojnë drejt vendeve me rëndësi vitale e strategjike për Kosovën, mos hezitoni dhe lajmroni menjëherë autoritetet! Duke raportuar, ju i ndihmoni vendit dhe ua lehtësoni punën institucioneve tona të sigurisë për të neutralizuar agjenturat e huaja. Çdo individ që dyshohet për spiunazh dhe rrezikon sigurinë kombëtare do të dalë para drejtësisë dhe do të marrë dënimin e merituar", ka shkruar Islami.























